Nesër Kurban Bajrami, politika uron besimtarët: Të punojnë për një Shqipëri më të mirë

schedule21:58 - 19 Korrik, 2021

schedule 21:58 - 19 Korrik, 2021

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, që do të falet nesër.

Gëzuar Kurban Bajramin! Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane! Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë.

“Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve)  por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”. Kuran, Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet” shkruan Meta.

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit! Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët! Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit.  Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë” shkruan Basha.

Ndërsa Ruçi shprehet se traditat myslimane janë vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve. “Me rastin e Kurban Bajramit, kësaj dite të bekuar, u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shëndet dhe lumturi në vatrat familjare.  Dita e Kurban Bajramit është dita e rritjes shpirtërore, faljes dhe bashkimit. Është një ditë meditimi. Reflektimet e çdo besimtari le të bashkohen e të shkrihen në reflektimet e shoqërisë, dhe të klasës politike, dhe t’i shtyjnë të gjithë të punojnë më shumë për një Shqipëri më të mirë.

Shqipëria u është mirënjohëse komunitetit mysliman dhe të gjithë besimtarëve sepse myslimanët shqiptarë janë ndër komunitetet më progresive të 1.5 miliardë besimtarëve myslimanë të planetit.

Myslimanët shqiptarë janë një komunitet fetar, human, tolerant dhe progresiv, të dedikuar për bashkëjetesën, paqen dhe drejtësinë sociale, të angazhuar në luftën ndaj varfërisë, pabarazisë dhe vështirësive të jetës.

Traditat myslimane janë një vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

Besimtarët myslimanë kanë ndarë me të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë sakrificat, përgjegjësitë dhe kontributet për avancimin e Shqipërisë, rritjen e mirëqenies, lartësimin e vlerave të shqiptarëve, për paqen, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve. Mirënjohje të thellë për mbështetjen që komuniteti dhe besimtarët myslimanë u dhanë besimtarëve dhe të gjithë qytetarëve për t’i mbijetuar pandemisë. Sot është dita të gëzojmë të gjithë dhe gëzime paçi nga hera në familjet tuaja”, shkruan në mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./ Abcnews.al