Një natë pas protestës simbolike me himnin kombëtar në sfond, pronarët e 90 bizneseve në Lungomaren e Vlorës kanë ndërmarrë një tjetër hap. Paraditen e sotme ata kanë kyçur bizneset duke kërkuar shtyrjen e orës policore dhe lejimin e muzikës pas orës 22:00 të mbrëmjes.
Ky vendim do të jetë në fuqi për 24 orët e ardhshme, ndërsa ata kanë paralajmëruar forma të tjera protestash deri në plotësimin e kushteve të tyre. Ndërkohë në mbrëmje, pronarët e bizneseve do të ndezin qirinj përgjatë lokaleve si dhe do të vendosin tabela me shkrime kundër orës policore.
Tre pronarë biznesesh mes tyre dhe një grua, u shoqëruan një natë më parë nga policia e Vlorës pasi vendosën himnin kombëtar pas orarit të përcaktuar në shenjë proteste.
Aksioni i policisë nisi pas orës 22:00, pasi disa pronarë lokalesh në Vlorës në shenjë proteste kishin vendosur në sfond himnin kombëtar, gjë që është cilësuar shkelje e aktit normativ për lejimin e muzikës. m.v/abcnews.al