“Si na ekzekutuan babanë dhe na grabitën shtëpinë”, çifti Përmeti: Luljeta Bozo duhet të na kërkonte falje

schedule21:48 - 13 Korrik, 2021

schedule 21:48 - 13 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Afro 3 dekada pas Programit të Pajtimit të parlamentit të parë pluralist, ish të përndjekurit pohojnë se statusi i tyre është fals. Pre e torturave më çnjerëzore, ish të burgosurit e të pushkatuarit që sistemi komunist i cilësoi si terrorist, ende sot nuk kanë marrë pafajësinë e si pasojë as dëmshpërblimin e premtuar. “Vetting” sjell në vëmendje historinë e Mirush Përmetit, inxhinierit të kënetës Maliqit. Si e ekzekutuan dhe i sekuestruan shtëpinë komunistët për t’ia dhënë Panajota dhe Vasil Konomit.  Hezitimi i familjes për ta kthyer vilën tek Përmetajt në demokraci dhe falja e munguar e bijës së tyre Luljeta Bozo.

Drejtori i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, zbulon skemën e mashtrimit të shtetit për letrat me vlerë. Ai shpjegon zvarritjen e dëmshpërblimit nga qeveritë e majta dhe të djathta, kur sot shumica e ish të burgosurve janë ndarë nga jeta ndërsa e trashëgimtarët janë ende tek kësti i tretë.  Edhe 30 vjet të tjera për dëmshpërblimin total, cilat janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit?

Historia e 81-vjeçarit Hasan Demiraj nga fshati Begë i Tropojës që u trajtua si rast i veçantë nga Avokati i Popullit. Pa shtëpi e me 14 mijë lekë pension, ish i përndjekuri kërkoi ndihmë nga 18 zyrtarë të lartë për të marrë lekët e burgut, por i thanë të “presë në radhë”.

……………………….

Mirush Përmeti ishte babai i dy vajzave, e në pritje të fëmijës së tretë, bashkë me bashkëshorten Bedrien kishin thurrur ëndërra për të ardhmen. Jetonin në vilën e ndërtuar prej tij me sqimë e prej së cilës përhapeshin aromat e luleve e portokajve në  rrugën Pjetër Budi. Por bashkë me këtë godinë të ngrohtë, kultura e formimi i tij, deri më vitet 1945 e vënë në shërbim të Shqipërisë do t’i ktheheshin në bumerang. Si ish gjimnazist i shkollës amerikane Harry Fultz e i diplomuar në Padova, inxhinieri , ishte një nga pretendët më të lakmuar të diktaturës, për tu shpallur “armik populli”.   Kështu, fati i tij si i dhjetëra inxhinierëve ishte paracaktuar. Sinjali i parë, ishte urdhëri i Spiro Kolekës në 1 korrik të vitit 1945, për mobilizim të tijin në tharjen e Kënetës së Maliqit, ndërsa afati 7 mujor për kryerjen e punës, ishte gracka.

Me pretendimin se inxhinierët mund të ishin agjentë të angloamerikanëve dhe nën presionin e mospërmbushjes së afatit të punës, inxhinier Mirushi do të ishte në grupin e dytë të atyre që do të arrestoheshin. Për  djalin e vetëm të doktor Bedri Përmetit u vendos dënimi me pushkatim. I ati i mpirë nga dhimbja bëri kërkesë për faljen e jetës së 34-vjeçarit.

E tronditur nga dhimbja e madhe që i kishte shkaktuar humbja e njeriut që dashuroi, babain e tre fëmijëve, Bedrie Përmeti,e  shoqëruar me një zonjë të moshuar shkon të nesërmen sapo bie errësira të kërkojë trupin e tij në bregun e lumit të Lanës ku u pushkatuan. Një bari aty pranë u tregon se ku kishte ndodhur gjëma, dhe ajo nis e shokuar të gërmojë. Me një grusht dhe që ishte hedhur mbi trupin e viktimave gjen të shoqin, për ta vajtuar e për ti dhënë lamtumirën e fundit. Me shpresën se një ditë do ti bënte të paktën një varr ku të prehej, por kjo nuk ndodhi asnjëherë, për shkak se mbi eshtrat e tyre u ndërtua Uzina Dinamo.

Por, vuajtjet s’kishin të sosur për bashkëshorten e ve të Mirushit, në shtëpinë e së cilës  nisën të hynin disa komisionerë të partisë, duke inventarizuar gjithçka kishte brenda. Ky ishte një sinjal që paralamëronte një tjetër ngjarje të errët.  Pjesë e atyre ditëve, përmes një vizite u bë edhe çifti Panajota dhe Vasil Konomi, të cilët pas familja e Mirushajve të nxirrej jashtë, e kishin parë vilën si të përshtatshme për të jetuar aty.

Pavarësisht lutjeve të nënës lehonë ata s’do ti lejonin të merrnin as djepin e foshnjës, duke iu përgjigjur me egërsi se “fëmija juaj nuk meriton këtë krevat”… madje  se ajo duhet t’u ishte falënderues që po i linin të jetonin .

Shtëpia ku jetonin në kushte të mjerueshme do të shembej në vitin 1965, dhe ata do të zhvendoseshin në një tjetër të banesë ngjashme në rrugën e Elbasanit, jo shumë larg nga ish vila e tyre që tani i përkiste familes Ikonomi.

Bedrijen, nusen e bukur e fisnike të Mirushit, lodhja do ta shndërronte në një trup rozafe të murosur në një sistem të kalbëzuar, pa prekur asnjëherë brendinë e saj. Do  të mbyllte sytë 3 vite para rënies së diktaturës, me plot pengje e brenga të shkaktuara nga ai regjim famëkeq.

Familja Konomi do të jetonte në atë vilë deri në vitin 1993 dhe largimi i tyre prej saj, jo vetëm nuk do të bëhej me konsensus, por do të shoqërohej me rezistencë të fortë e deri me përballje në gjykatë.

Ndonëse e  rritur në atë vilë, në këto përballje, inxhinierja Luljeta do, vajza intelektuale e familjes Konomi mungonte, qoftë edhe  për të qetësuar situatën, siç thotë Fatmira.

Në vitin 1994 vila u kthye tek tre trashëgimtarët e Mirush Përmetit, por, për ta mbetet ende e pakomensuar një  sipërfaqje e konsiderueshme toke, pasuri e inxhinierit të pushkatuar.

Si ai dhe bashkëshortja Fatmira, bija e tregëtarit ish të përndjekur Selim Hasimja, deri më sot kanë marrë vetëm 3 këste të dëmshpërblimit, nga tetë që janë në total.

Dëmshpërblimi, si dhe procesi i kthimit të tokave tek pronarët, kanë qenë në sinkron në mosfunksionimin e tyre. Zvarritja në 3 dekada ka ndikuar edhe opinionin publik, duke krijuar vatra diskutimi, për përfshirjen e trashëgimtarëve në trajtim.

Vitet po ikin, dhe shpresat tek familjarët e ish të përndjekurve po zbehen duke mbjellë zhgënjim në procesin e shumëpritur të integrimit të tyre dhe të demokracisë…/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!