Bilal Kola zbulon skemën, si u mashtruan ish të përndjekurit nga shteti përmes letrave me vlerë

schedule20:27 - 13 Korrik, 2021

schedule 20:27 - 13 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Afro 3 dekada pas Programit të Pajtimit të parlamentit të parë pluralist, ish të përndjekurit pohojnë se statusi i tyre është fals. Pre e torturave më çnjerëzore, ish të burgosurit e të pushkatuarit që sistemi komunist i cilësoi si terrorist, ende sot nuk kanë marrë pafajësinë e si pasojë as dëmshpërblimin e premtuar.

“Vetting” sjell në vëmendje historinë e Mirush Përmetit, inxhinierit të kënetës Maliqit. Si e ekzekutuan dhe i sekuestruan shtëpinë komunistët për t’ia dhënë Panajota dhe Vasil Konomit.  Hezitimi i familjes për ta kthyer vilën tek Përmetajt në demokraci dhe falja e munguar e bijës së tyre Luljeta Bozo.

Drejtori i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, zbulon skemën e mashtrimit të shtetit për letrat me vlerë. Ai shpjegon zvarritjen e dëmshpërblimit nga qeveritë e majta dhe të djathta, kur sot shumica e ish të burgosurve janë ndarë nga jeta ndërsa e trashëgimtarët janë ende tek kësti i tretë.  Edhe 30 vjet të tjera për dëmshpërblimin total, cilat janë konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit?

Historia e 81-vjeçarit Hasan Demiraj nga fshati Begë i Tropojës që u trajtua si rast i veçantë nga Avokati i Popullit. Pa shtëpi e me 14 mijë lekë pension, ish i përndjekuri kërkoi ndihmë nga 18 zyrtarë të lartë për të marrë lekët e burgut, por i thanë të “presë në radhë”.

…………………….

Humanizmi e integriteti i klasave politike nuk u gjet as në mbështetjen financiare që i ishte premtuar ish të përndjekurve politikë. Pas miratimit të statusit, e deri në dhjetor të vitit 1997 ata u ushqyen me iluzionin e “lugës bosh” që prodhuan të ashtuquajturat Letra me vlerë.

Instituti i ish të Përndjekurve ka konstatuar se janë dhënë afro 17,5 miliardë lekë bono privatizimi, por, shumica, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë fiktive. Nga bonot që nisën të shpërndaheshin në vitin 2014 u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre dhe me vlerë shumë herë më të ulët. Pra, siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit shuma reale ishte 7,6 miliardë lekë, dhe kjo ishte totalisht e zhvlerësuar. Përpos kësaj, në procesin e strehimit, ndërsa për pjesën tjetër banesat u dhanë falas, për ish të përndjekurit, vlera u zbrit nga bonot e dhëna.

Instituti i ish të Përndjekurve në vitin 2015 mbajti një fushatë 4 mujore në të gjithë vendin, për të mbledhur fotokopjet e letrave me vlerë që familjet e ish të dënuarve dispononin dhe për të vënë shtetin para përgjegjësisë morale në përmbushjen e dëmshpërblimit të kësaj shtrese.

Por, sikur kjo të mos mjaftonte, tallja ndaj ish të përndjekurve përmes letrave me vlerë  vijon ende sot. Ndonëse ato konsiderohen si të pavlefshme, shteti, siç pohon Kola, i njeh ende si pjesë  të dëmshpërblimit.

Ligji nr. 9831/2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist”, pas 14 viteve të gënjeshtërta, rimori misionin e Statusit për përkrahjen financiare të kësaj kategorie. Edhe pse fjalimet verbale të politikanëve i mëshonin një procedure efikase dhe të shpejtë, procesi i shpërndarjes së kësteve nisi të gjejë zbatim vetëm në vitin 2009.   Me këto hapa, në vitin 2019 Kontrolli i lartë i shtetit konstatoi se vlera e detyrimit të shtetit shqiptar ndaj ish të përndjekurve ishte 33,182 milionë lekë, duke shtuar më tej se nëse buxhetimi i këtij fondi do të ndjekë ritme të ngjashme shpërblimi total do të kërkonte plot 32 vjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!