Helmimi në Deçan, Krasniqi: Qeveria po neglizhon rastin

schedule16:47 - 13 Korrik, 2021

schedule 16:47 - 13 Korrik, 2021

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit, nga e shtuna deri më sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit.

Lidhur me këtë ngjarje, opozita ka kritikuar qeverinë, duke thënë se ka reaguar me vonësë. Kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka vizituar këtë komunë, për shkak se është jashtë vendit, ndërsa ministri i Shëndetësisë dhe presidentja Vjosa Osmani, shkuan sot.

Për helmimin e mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt.

Krasniqi është shprehur i brengosur për siç ka thënë neglizhencën e qeverisë, e cila sipas tij me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.

“Jam i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit. Helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes. Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune. Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt“, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se qytetarëve të Deçanit duhet t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme institucionale lokale, e po ashtu edhe siguria, në mënyrë që të mos bëjnë panik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!