Sektori bankar e mbylli pesëmujorin e parë të vitit me një fitim neto në vlerën e 7.9 miliardë lekëve.
Fitimi i sektorit është dukshëm në nivele më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 56% më shumë dhe afërsisht në të njëjtin nivel me pesëmujorin e vitit 2019.
Edhe kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore në fund të majit rezultoi 11.57%, nga 7.79% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prej dhjetorit 2020, kthimi nga kapitali i sistemit po qëndron në nivele dyshifrore dhe pranë mesatares së pesë viteve të fundit. Edhe kthimi mesatar nga aktivet paraqitet i përmirësuar në 1.26%, nga 0.88% që kishte qenë një vit më parë.
Të dhënat mbi fitimet mbështeten në standardet e raportimit të aplikuara për qëllime të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Fitimet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që janë edhe standardi ligjor i raportimit të bankave, nuk publikohen me frekuencë mujore. Gjithsesi, rezultati financiar mes dy standardeve mund të ketë diferenca të konsiderueshme, për shkak të parimeve të ndryshme që ndiqen në llogaritjen e fondeve rezervë për humbjet nga kreditë me probleme.
Rritja e fitimeve të sektorit bankar gjatë këtij viti reflekton në radhë të parë një ecuri pozitive të treguesit të kreidve me probleme, që ka vazhduar një rënie të ngadaltë, por konstante në muajt e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj ky raport shënoi nivelin 7.8%, nga rreth 8.2% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e kredive me probleme nënkupton më pak shpenzime për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare.
Nga ana tjetër, gjatë këtij viti sektori ka shfaqur një performancë në përmirësim edhe për sa i takon bazës së të ardhurave. Bankat kanë rritur të ardhurat nga komisionet krahasuar me një vit më parë, kur kufizimet e mëdha të lëvizjes dhe orareve të biznesit sollën edhe rënien e ndjeshme të veprimeve bankare në degë dhe agjenci.
Të ardhurat neto nga interesat janë në rritje, falë zgjerimit të bazë së aseteve, që është shprehur në rritje të portofolit të kredisë dhe të investimeve në tituj. Në krahun tjetër, shpenzimet për interesa paraqiten në rënie, fenomen ky i lidhur sidomos me zhvendosjen e kursimeve kryesisht në depozita pa afat dhe llogari rrjedhëse, ku interesat që paguajnë bankat janë edhe më të ulëta./Monitor