Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, ka krijuar polemika përpara finales së Europianit. Mediat gjermane e kritikuan ashpër kur ai deklaroi se Lufta e Dytë Botërore ishte motivim në sfidën Angli-Gjermani.
Mund të jesh i shkëlqyer dhe papritur të shkaktosh autogol. Këtë duket se bëri trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, njeriu që ka udhëhequr në mënyrë fantastike ekipin e tij në Euro 2020.
Ai krijoi një furtunë të vërtetë kur theksoi ndikimin e Luftës së Dytë Botërore në motivimin e Anglisë para ndeshjes me Gjermaninë.
“Mendoj se ka momente në histori për të cilat ne duhet të jemi krenarë, – ishin fjalët e tij, – Ka pasur kohë kur njerëzit kanë dashur të na pushtojnë, dhe ne kemi pasur guximin t’i zmbrapsim. Nuk mund ta fshihni që një pjesë e energjisë në stadium ndaj Gjermanisë ishte për këtë. Unë kurrë nuk ua kam thënë lojtarëve, por unë e di se historia ishte e tillë”.
Kjo nuk u prit mirë në Gjermani dhe tabloidi “Bild” doli me titull: “Zoti Southgate, ju jeni i çmendur”!
“Ju kaloni shumë kohë duke parë filma me Çërçillin, e duke ëndërruar të jeni britaniku i dytë më i madh në histori, – ishte vazhdimi, – kundërshtarët tuaj ishin Hitleri e Goering jo Thomas Muller e Neuer!”
“Bild” nuk harron të kujtojë kopertinën e tabloidit londinez “Daily Mirror” para duelit në Euro 1966, me fytyrat e Stuart Pearce e Paul Gascoigne me helmeta të Luftës së Parë Botërore.
Me të vërtetë, zoti Southgate ndoshta nuk e ka kuptuar sesa delikate është e kaluara historike dhe sesi mund të përjetohet nga të tjerët kur kjo gjë thuhet nga një anglez, pasardhës i një vendi që nuk e pati problem të kolonizonte një të katërtën e sipërfaqes së botës.
Nga Kanadaja, në Australi, nga Egjipti në Afrikën e Jugut, nga India në Kinë, Britania e Madhe ishte “perandoria ku dielli nuk perëndonte”, dhe që shfrytëzoi për 200 vjet djersën dhe gjakun e të tjerëve që shtresa e lartë apo edhe e mesme angleze të pinte rregullisht çajin në orën 5 pasdite.