Rimëkëmbja ekonomike e Bashkimit Europian është përshpejtuar falë heqjes së kufizimeve të koronavirusit dhe fushatës së vaksinimit që ka kontribuar në rënien e rasteve dhe shtrimeve në spital, shkruan euronews.
BE-ja dhe eurozona kanë vendosur të ecin me ritme të barabarta: 4.8% këtë vit dhe 4.5% në 2022. Shifrat tregojnë një përmirësim nga parashikimi i mëparshëm i Komisionit Europian, i publikuar në mes të majit, ku parashikohej një rritje e normës në 4.2% për bllokun dhe 4.3% për eurozonën.
PBB parashikohet të rikthehet në nivelet përpara krizës në tremujorin e fundit të 2021, tha Komisioni. Në total, 12 vende të BE-së pritet të kompensojnë të gjitha humbjet gjatë këtij viti: Estonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Sllovenia, Sllovakia, Bullgaria, Danimarka, Polonia, Rumania, Hungaria dhe Suedia.
Irlanda ishte i vetmi komb që nuk pësoi një rënie të PBB-së gjatë 2020. 14 vendet e mbetura anëtare do të duhet të presin deri diku në 2022 për t’u rikuperuar plotësisht, raporton abcnews.al
Spanja, i vetmi vend që regjistroi rënie ekonomike vitin e kaluar (një rënie dramatike prej 10.8%), pritet të ketë një rritje me 6.2% në 2021 dhe 6.3% në 2022, duke bërë që kombi të kompensojë të gjitha dëmet e PBB-së.
Konsumi dhe eksportet
Por gjithashtu pritet një rikuperim më i shpejtë për shkak të fushatës së vaksinimit dhe lehtësimit të masave efektive për të mbajtur në kontroll përhapjen e koronavirusit. Sektori i shërbimeve, më i prekuri gjatë valës së COVID-19 në dimër, ka përfituar nga rihapja e vendeve.
Deri më sot, 62.7% e popullsisë së rritur të BE-së ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, megjithëse normat e vaksinimit janë të pabarabarta në të gjithë bllokun: Malta ka vaksinuar më shumë se 82% të popullsisë së saj, ndërsa Bullgaria ka arritur vetëm 14% e qytetarëve të saj, raporton abcnews.al
Komisioni vuri në dukje se ka prova të “një ringjalljeje të aktivitetit turistik brenda BE-së” e cila mund të nxitet më tej nga zbatimi i Certifikatës Digjitale të COVID. Certifikata , e cila hyri zyrtarisht në fuqi më 1 korrik, u mundëson turistëve që janë vaksinuar ose kanë një test negativ PCR të shmangin kufizimet e udhëtimit brenda territorit të BE-së.
Një faktor tjetër që qëndron pas rimëkëmbjes ekonomike është fondi i rimëkëmbjes së BE-së, i cili pritet të gjenerojë pasuri të barabartë me 1.2% të PBB-së reale të BE-së 2019. Komisioni Europian tashmë po mbledh para në tregjet e kapitalit për të financuar fondin dhe do të fillojë shpërndarjen e parave në mesin e vendeve anëtare sapo planet e para kombëtare të rimëkëmbjes të miratohen nga Këshilli i BE-së.
Të gjitha rrethanat krijojnë një këndvështrim pozitiv për Bashkimin Europian. Blloku aktualisht po regjistron disa nga normat më të larta të rritjes ekonomike në historinë e tij. Ekonomitë e Rumanisë dhe Irlandës do të rriten me 7.4% dhe 7.2%, përkatësisht, nga 5.1% dhe 4.6%.
Delta dhe kërcënimet e inflacionit
Pasiguria dhe rreziqet për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së mbeten të larta, tha komisioneri Gentiloni. Kërcënimi më i drejtpërdrejtë është përhapja e variantit Delta, i cili është më i transmetueshëm dhe i aftë të infektojë edhe personat që janë pjesërisht të vaksinuar.
Mutacioni po përhapet shumë shpejt në vende si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Spanja. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar që varianti Delta, i zbuluar në Indi, mund të përbëjë 90% të rasteve të reja të koronavirusit në Europë deri në fund të gushtit, raporton abcnews.al
Gentiloni gjithashtu ngriti alarmin për pabarazitë në fushatën e vaksinimit. Sipas platformës Our World In Data, vetëm 1% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine kundër Covid-19.
Nëse hendeku vazhdon të zgjerohet, rimëkëmbja e BE-së mund të ngadalësohet. Ndërkohë ekziston rreziku i inflacionit të lartë për shkak të shumës që parave që qeveritë kanë kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike.
Inflacioni mesatar në BE parashikohet të jetë 2.2% këtë vit dhe 1.6% në 2022, nga 0.7% në 2020. Rritja e çmimeve të energjisë, pengesat e prodhimit, mungesat e përbërësve kryesorë (si gjysmëpërçuesit) dhe kërkesa e madhe e brendshme gjithashtu mund të shkaktojë një rritje të çmimeve të konsumit.
“Inflacioni mund të jetë më i lartë se sa është parashikuar, nëse vazhdojnë kufizimet e furnizimit dhe rriten çmimet,” theksoi ekzekutivi.
Gentiloni u kërkoi vendeve të BE-së të sigurojnë që rimëkëmbja post-pandemike të sjellë një ekonomi më të gjelbër, në përputhje me qëllimet e bllokut për neutralitetin klimatik.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al