Vurmo tregon “prapaskenat”: Si u ndryshua projektligji për lojërat e fatit 24 orë para seancës

schedule20:53 - 6 Korrik, 2021

schedule 20:53 - 6 Korrik, 2021

Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive.  Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.

Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja  duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet  nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.

………………………….

“Llokajet” në të cilat “notojnë” iniciativat legjislative, u vunë në dukje në raportin “Zbërthimi i Kapjes së Shtetit në Shqipëri” të “Transparency International” dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ku shqyrtoheshin 9 raste ligjesh të konsideruara si “Me Porosi” gjatë periudhës 2008-2020, ku kanë qeverisur dy forcat politike më të mëdha në vend. Mes tyre renditet edhe Ligji nr. 155/2015 për Lojërat e Fatit, që siç thekson Vurmo erdhi edhe si rezultat i nenit problematik nr.75 të Rregullores së Kuvendit.

Përmes këtij neni,  mundësohet që çdo deputet dhe Këshilli i Ministrave të paraqesë amendamentet e një projektligji në seancën plenare të Kuvendit, por me kusht që këto ndryshime të regjistrohen deri në 24 orë para seancës plenare. Por kjo kohë, është dukshëm e pamjaftueshme për t’u konsultuar me ekspertët dhe grupet e interesit. Por, nëse ky ligj pas amendamenteve të miratuara binte ndesh me interesin publik, për llogari të kujt kishin punuar në këtë rast deputetët? Ky është vetëm një nga rastet që sipas ekspertëve tregon qartë kapjen e shtetit përmes ligjeve./ Abcnews.al