Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në një intervistë për “ABC” ka folur për minishengenin si edhe rrugën drejt integrimit evropian.
Abazoviç shprehet se çdo iniciativë e cila arrin rezultate pozitive është një bashkëpunim i mirë, duke shtuar se i qëndron fjalës së tij kundër ndryshimit të kufijve.
Lexo edhe: Abazoviç në “ABC”: Shqiptarë, lëreni shamatën, bashkohemi ta bëjmë Ulqinin brand europian
Për Abazoviç vendet e Ballkanit duhet të thyejnë të gjitha barrierat për tu bërë pjesë e rrugës evropiane, ndërsa shprehet se Mali i Zi ka ambicien të bëhet pjesë e BE-së brenda këtij mandati ose mandatin e ardhshëm pasi sipas tij, Mali i Zi i ka përmbushur shumicën e kërkesave për integrimin.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Për Minishengenin për një hapësirë Ballkanike ku respektohen katër liritë, ka disa variante është procesi i Berlinit, është Minisehngeni Rama, Zaev, Vuçiç ku ishte dhe Gjykanoviç, por ka edhe një propozim të Albin Kurtit ku thotë hapësirë e përbashkët sipas modelit të Islandës, por që të ketë sekretari, gjykata institucione, pra institucionalizim i Ballkanit. Ju vetë për cilin model jeni?
Abazoviç: Unë jam për çdo model që tregon se bashkëpunimi mund të jetë shumë më aktiv se tani. Nuk kam qejf kur dikush më jep kritika jashtë logjike. Të gjitha këto që përmendët e kanë një të përbashkët që shtetet Ballkanike të funksionojnë më mirë.
Çdo gjë që arrin në bashkëpunim është e mirë dhe çdo gjë që shkon në shkatërrim të marrëdhënieve është diçka e dobët. Ëndërr është që këto shtete të thyejnë barrierat. Unë jam kundër ndryshimeve të kufijve, pra të mos ekzistojnë, por edhe mobiliteti ndërmjet shteteve të ndryshme, njerëzve të jetë pa limit. Janë iniciativa të cilat unë i kam të afërta.
Pyetje: Mosinstitucionalizim, që do të thotë me sekretari, gjykata, pra a ringjallet fantazma e Jugosllavisë së re.
Abazoviç: Unë mendoj që ai projekt është shumë larg realizimit Ne nuk mundemi të bëjmë ligën rajonale për futboll e jo më të bëjmë gjykata të përbashkëta. Nuk jam kundër si ide, por nuk e shoh se diçka reale. Në këtë moment nuk e shoh se ide reale edhe pse është shumë e emancipuar dhe progresive dhe ndoshta për disa vite apo pas një dekade mund të krijohen kushte.
Pyetje: Atëherë pas 10 vitesh do të futemi në Integrimin Europian?
Abzoviç: Ajo është diçka përfundimtare, arritja e fundit që duhet të jetë për të gjitha shtetet.
Pyetje: Ideja e Albinit është ta krijojë pa shkuar tek BE-ja. Unë e kuptoj që duhen institucione arbitrazhi për të zgjidhur mosmarrëveshje, por institucionalizimi është diçka tjetër.
Abazoviç: Unë nuk mund të flas në emër të Kosovës, por në emër të Malit të Zi mund të them se kemi ambicie që brenda këtij mandati ose mandatin e ardhshëm të bëhemi pjesë e BE-së. Ne duhet të shtyjmë Malin e Zi të bëhet pjesë e BE-së. Por çdo iniciativë që mund të na ndihmojë për ne është e pranueshme. Ne mendojmë se kemi kryer një pjesë të madhe të punës në lidhje me integrimin dhe ndoshta e kemi pak më ndryshe pozitën në krahasim me vendet e tjera rajonale./abcnews.al/