Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj
Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive. Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.
……………………….
Profesor Ismet Elezi, specialist i të drejtës penale, që ka jetuar mes diktaturës dhe sistemit pluralist, i njeh mirë mosfunksionimin e pushtetit legjislativ e ngërçet e gjyqësorit. Ndonëse në moshën 101-vjeçare, pasioni për profesionin dhe ëndrra për shtetin e së drejtës e bën të mos shkëputet nga ngjarjet e ditës.
Kapja e shtetit përmes shqiptar ligjeve, e korrupsioni në kurriz të zgjedhësve, sipas tij, nuk mund të bëhet nga Legjislativi, nëse gjyqësori i del kundër vendimeve pa integritet e që nëpërkëmbin Kushtetutën. E megjithatë, fara që “përlyen” legjislacionin, siç ai thotë hidhet e ushqehet fillimisht në gjirin parlamentar.
Konformizmi i deputetëve ligjbërës është një qasje e ligësht që shqetëson njerëzit e drejtësisë, e jo vetëm nuk reflekton demokracinë, por konkurron edhe diktaturën. Ndonëse asokohe presioni i Byrosë Politike dhe vendosmëria e saj për të mbjellë terror ka qenë gati e pafrenueshme, profesor Elezi, tregon për “Vetting” duke u ndalur në raste konkrete se, Byroja Juridike që ai ka drejtuar, fjalën e saj e thoshte mbështetur në Kushtetutë.
Mijëra krime u shënuan në atë periudhë të errët të Shqipërisë komuniste, por, siç thotë penalisti, shumica prej tyre u bënë pa juridiksion. Ndryshe nga miratimi i heshtur që bëhet sot, Byroja Juridike siç ai rrëfen, e diktonte vijën e kuqe të ligjit, duke tentuar të mos bëhet palë me vendimet kriminale të Byrosë Politike. Edhe pse ta frenoje këtë të fundit, ishte shpesh mision i pamundur.
Sot, kur jemi në kushtet e një parregullësie të kthyer në rutinë, ku ligjet rrëzohen me të njëjtën lehtësi që miratohen, profesor Elezi bën thirrje për zhbërjen e të gjitha akteve normative të dyshimta e që shkelin Kushtetutën, pavarësisht se kush ka qenë iniciator./ Abcnews.al