Tiranë/Berlin/Sarajevë – “Bashkëpunimi rajonal do të mbizotërojë mbi forcën e ideve dhe idealeve të tij, jo mbi mosmarrëveshjet dhe titujt e dokumenteve. Ne e dimë se ekonomitë e rajonit do të jenë konkurruese dhe bashkëpunuese, me njëra- tjetrën atëherë kur duhet të jenë. Na mbetet vetëm të shpresojmë se ata do të zgjedhin të jenë kundërshtare, vetëm kur kjo gjë të jetë thuajse e pashmangshme,” tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu në prezantimin e seksionit të BE- Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit, mbajtur pas fjalës hyrëse të organizatores së Samitit, kancelares gjermane Angela Merkel, së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pjesëmarrësit e Samitit, mbajtur online këtë vit, ripohuan angazhimin e tyre drejt zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar nga gjashtë udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e fundit në Sofje, në nëntor të 2020-ës
“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal po përpiqet të drejtojë një proces intensiv të përqëndruar tek Tregu i Përbashkët Rajonal, një hallkë kjo në favor të një qasjeje funksionale për një bashkëpunim më të mire mes vendeve. Edhe pse kemi të bëjmë me rezultate të qarta dhe përpjekje të mëdha, ne hasëm vështirësi për të avancuar axhendat, veçanërisht për lirinë, aq shumë të domodsoshme të lëvizjes së qytetarëve, vetëm me karta ID. Punuam shumë për këtë. Teknikisht,nuk patëm asnjë pengesë që kjo marrëveshje të miratohej. Të gjitha vendet treguan pjekuri dhe gatishmëri për ta mbështetur këtë kauzë, të përbashkët. Kjo marrëveshje mund të jetë një tjetër arritje pozitive, në qoftë se në muajt e ardhshëm ne ja dalim të biem dakord mbi eliminimin e pengesave të mbetura politike,” shtoi Bregu.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor përsëritën vendosmërinë e tyre për të miratuar marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti si dhe marrëveshjen mbi shtetasit e palëve të treta sa më parë të jetë e mundur, përpara mbledhjes së ardhshme të BE, për Ballkanin Perëndimor.. Vëmendje e veçantë ju kushtua gjithashtu miratimit të shpejtë të marrëveshjeve mbi njohjen e ndërsjelltë të kualifikimeve akademike dhe profesionale, të cilat do të lehtësojnë lëvizjen e profesionistëve në çdo vend të Ballkanit Perëndimor.
“E dimë që nuk flitet shpesh për lajme të mira nga Ballkani. Të gjithë e dimë se nga e thëna në të bërë, siç e thotë një shprehje e urtë popullore, na ndan një mal i tërë. E ardhmja nuk përcaktohet thjesht nga një marrëveshje që nënshkruhet në një takim a samit. Ajo ka të bëjë me njerëzit: arsimimin, biznesin, teknologjinë, krijimin e vendeve të punës, ndërlidhjet, dixhitalizimin, etj. Javën e kaluar, patëm një ditë historike për rajonin, duke eliminuar pengesat, kufijtë dhe tarifat për roaming, në telefoninë celulare. Kjo është me të vërtetë një kthesë e madhe në histori. Ne jetojmë në një rajon që po tkurret dhe zgjerohet, njëkohësisht, herë duke u afruar e herë duke u larguar nga njëri- tjetri. Kështuqë le të jetë Roaming Free pika e madhe e kthesës për një bashkëpunim të fortë rajonal të suksesshëm, prej të cilit do të përfitojë çdokush”- përfundoi Bregu.
Në këtë samit të 7-të, (që kur kancelaria gjermane Merkel, e inicioi atë më 2014-ën), pjesëmarrësit miratuan konkluzionet e dala, të cilat përveç përforcimit të angazhimit në zbatimin e Tregut të Përbashkë Rajonal, vendosën një sërë përparësish në fusha të ndryshme si: lëvizjen e lirë të mallrave; transformimin dixhital; axhendën e gjelbër; planin ekonomik dhe atë të investimeve; përballimin e situatave të krijuara nga pandemia COVID- 19; migrimin; politikat për personat e humbur; integrimin e komunitetit rom; politikat për rininë dhe shoqërinë civile; arsimimin; shkencën, kërkimin dhe inovacionin dhe të ardhmen e Procesit të Berlinit.
Mbi të ardhmen e Procesit të Berlinit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për vazhdimin e tij me qëllim që të shfrytëzojnë potencialin e plotë të bashkëpunimit të përmirësuar rajonal, si dhe për të kapërcyer pasojat socio-ekonomike që la pas pandemia COVID-19.