Sot është mbajtur Samiti i Ballkanit Perëndimor në kontekstin e të ashtuquajturit ‘Procesi i Berlinit’. Samiti mblodhi së bashku Kryetarët e Shteteve nga Ballkani Perëndimor dhe homologët e tyre nga nëntë Shtete Anëtare të BE-së, përfaqësues të nivelit të lartë të BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të përparuar në bashkëpunimin e tyre rajonal dhe agjendën e integrimit evropian. Takimi virtual u organizua nga Kancelarja Merkel. Po ashtu e pranishme ishte Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Një nga pikat e diskutuar në këtë samit ishte edhe hyrja në fuqi nga 1 korriku e marrëveshjes Rajonale të Roaming në Ballkanin Perëndimor, ku u hoqën tarifat për qytetarët brenda rajonit.
Hapi tjetër sipas Procesit të Brelinit, është për heqjen graduale të tarifave të roaming midis Ballkanit Perëndimor dhe BE.
Prej datës 1 korrik të gjithë pajtimtarët e rrjeteve celularë të Republikës së Shqipërisë që udhëtojnë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi), do të gëzojnë të drejtën e përdorimit të të gjitha shërbimeve celulare roaming të rregulluara në këto vende të Ballkanit Perëndimor sikundër të ishin në Shqipëri, pra pa tarifa/shpenzime shtesë për roaming. Megjithatë shërbimet e internetit nuk përfshihen në heqjen e tarifave të roaming.
Me pak fjalë të gjithë pajtimtarët celularë do të tarifohen për të gjitha shërbimet celulare të konsumuara në roaming në këtë hapësirë sipas tarifave/mekanizmit të tarifimit përkatës (PAYG/Paketa me parapagim dhe paspagim, etj.) të aplikuar në Shqipëri për shërbimet celulare, si: thirrje dalëse, thirrje hyrëse (0 lekë), SMS dalëse (SMS hyrëse 0 lekë), dhe internet (sipas politikës së përdorimit të drejtë – FUP). Pajtimtarët që përdorin paketa/oferta me paspagim apo parapagim do të kenë mundësinë që gjatë roaming në Ballkanin Perëndimor të përdorin njësinë e shërbimeve të përfshira në pagesën fikse periodike (mujore) apo të ofertave me parapagim (ditore/javore, 30 ditore etj.), sikundër të ishin në Shqipëri, pra, pa tarifa shtesë apo nevojën për të blerë oferta shtesë roaming. e.l/abcnews.al/