Profesori Milazim Krasniqi ka uruar me fjalë emocionuese djalin e tij, Memli Krasniqin, pasi sot u zgjodh kryetar i PDK-së. Krasniqi tha se për familjen e tij, kjo arritje e Memlit, është përmbushje e besimit që kanë pasur te ai. Milazim Krasniqi ishte një ndër themeluesit e LDK-së, rivales që sot udhëheq djali i tij, Memli Krasniqi.
“Zgjedhja e Memlit për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, për mua, Ediben dhe gjithë familjen tonë, është një përmbushje e besimit që gjithnjë kemi pasur dhe e kemi në Memlin, si një djalë i mbarë, i suksesshëm, i dashur, i përkushtuar, me vlera të larta njerëzore.
Memli e ka pasur dhe e ka gjithmonë përkrahjen tonë të plotë, në të gjitha projektet, sepse ne e dimë që ai angazhohet vetëm në punë të mira, të mbara e të dobishme, për familjen e për vendin tonë të dashur. Prandaj e ka përkrahjen tonë të plotë edhe në detyrën e tij të re dhe më shumë përgjegjësi.
Të udhëheqësh PDK-në, realisht është ta prekësh me dorë historinë e këtij shteti, sepse PDK-ja është pjesë substanciale e lirisë dhe e ndërtimit të shtetit tonë. Ne besojmë se historia e lavdishme e këtij projekti politik dhe oferta e re për kohën që kemi përpara, do t’i prijë Memlit tonë drejt sukseseve të reja. Urime, babush! Zoti të ndihmoftë” shkruan Milazim Krasniqi për djalin e tij. / Abcnews.al