Historia e gjyqtarit, shkoi me biçikletë përballë vettingut, por nuk justifikoi 135 mijë euro

schedule23:07 - 29 Qershor, 2021

schedule 23:07 - 29 Qershor, 2021

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Kreshnik Omari u përball të martën më 29 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime vetëm për gjetjet për kriterin e pasurisë, për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ. Procesi i vetingut për Omarin po kryhet nga trupi gjykues i KPK i kyesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Kreshnik Omari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe punon për më shumë se dy dekada në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjyqtari Omari mbërriti dhe u largua me biçikletë nga ambjentet ku u zhvillua seanca dëgjimore. Ai e vlerësoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij dhe kërkoi që në analizën financiare të reflektoheshin provat dhe shpjegimet që kishte dorëzuar për të vërtetuar burimet e krijimit të pasurive.

Hetimi administrativ i Komisionit është përqëndruar në një depozitë me vlerë 135 mijë euro të çelur nga gjyqtari Omari si dhe transaksionet në prona të paluajtshme të kryera nga prindërit e tij, për të cilat u ngitën dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të subjektit të rivlerësimit.

Për çeljen e depozitës në shumën 135 mijë euro në vitin 2015, Omari ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga emigracioni në Itali gjatë periudhës 1991-1995; të ardhura nga puna e tij si avokat e gjyqtar, si dhe nga puna e ish-bashkëshortes si avokate.

Subjekti ka sqaruar se në vitin 2003 ka deklaruar si gjendje cash shumën 97 mij euro, ndërsa pjesa tjetër është kursyer në vitet e mëvonshme.

Burime të njëjta financiare, Omari ka deklaruar edhe për krijimin e një depozite në shumën 1 milion lekë në vitin 2003.

Sanxhaktari tha se subjektit i është kaluar barra e provës për të provuar burimin e ligjshëm të shumave të depozituara në vitin 2003 dhe në 2015-ën. “Duket dyshimtë pse subjekti i ka mbajtur në shtëpi gjendjet cash”, theksoi ajo.,

Gjyqtari Omari deklaroi në seancë se kishte dorëzuar librezën e punës në gjuhën italiane që i ishte pranuar si provë e papërkthyer, ndërkohë që nuk ishin konsideruar bustapagat të. “I përkthehva dhe i dorëzova”, theksoi Omari dhe shtoi se gjatë priudhës që kishte punuar në Itali, kishte përfituar nga puna si shofer kamioni vlerën 176 milionë lireta. Ai sqaroi se kishte dorëzuar prova të tjera, si disqet e regjistruara për orarin e punëës së kryer dhe faturat e pagesës së orëve shtesë, veça atyre të pasqyruara në bustapaga.

I pyetur nga kryesuesi Olsi Komici dhe vëzhguesi ndërkombëtar Francesco Ciardi, Omari shpjegoi se kishte të mbuluara me bustapaga rreth 90 ose 100 milionë lireta, pasi për një periudhë kohe kishte punuar i paregjistruar, si dhe një pjesë e të ardhurave për orët shtesë nuk pasqyrohej në bustapaga.

Lidhur me mbajtjen e gjendjes cash në shtëpi për një periudhë të gjatë, subjekti tha se ishte çështje besimi tek bankat. “Dihet ’97-ta”, tha ai.

Në vijim, Sanxhaktari tha se nuk është provuar edhe burimi i ligjshëm i dy depozitave në shumat 1 milionë lekë dhe 500 mijë lekë të çelura nga babai i ndjerë i subjektit. Sipas relatores, Omari ka trashëguar gjysmat e këtyre dy depozitave, që janë konsideruar me rezervë në analizën financiare.

Omari deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e tyre nga pensioni dhe nga aktiviteti privat.

Komisioni konstatoi se gjyqtari Omari nuk ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 11.5 m2 në Tiranë në vitin 2013, kundrejt çmimit 2725 euro. Sipas Komisionit, po atë vit është kryer rivlerësimi në shumën 1 milion e 96 mijë lekë.

“Duket se çmimi i kontratës është fiktiv. Deklarimet e subjektit se e ka blerë për parkimin e automjetit nuk janë bindëse pasi e ka larg shtëpisë ku banon”, tha Sanxhaktari.

Omari tha se graazhin e kishte porositur në vitin 2005 dhe se kishte depozituar pesë kontrata të ngjashme, kur rezultonte se çmimet e shitjes ose ishin të njëjta ose më të ulëta.

“Aty ku gjendet shtëpia ime nuk ka vend parkimi. Është 500 metra larg shtëpisë dhe e arrij për pesë minuta”, tha Omari.

Komisioni ngre dyshime për deklarim të rremë për çmimin e një autoveture tip “Lancia” të blerë në vitin 2013 kundrejt shumës 300 mijë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se shitësja e mjetit, B.P. e ka blerë në Itali rreth një muaj më parë në shumën 9000 euro dhe ka paguar doganën në shumën 255 mijë lekë. “B.P. e ka shitur një muaj më vonë pesë herë më lirë nga sa e ka blerë vetë”, tha Sanxhaktari dhe shtoi se veç deklarimit të rremë për çmimin e blerjes, subjekti në këtë rast duket se ka fshehur vlerën reale të mjetit.

Gjyqtari Omari deklaroi se me shtetasen italiane B.P. kishte pasur miqësi të vjetër dhe se ndoshta për këtë arsye ia kishte shitur makinën për çmimin 300 mijë lekë. Por ai kundërshtoi që ajo të konsiderohej si person i lidhur.

Në seancë u relatua edhe për blerjen e një veliere me gjatësi 9 metra në Itali nga ana e gjyqtarit Omari në vitin 2015 kundrejt shumës 4000 euro, për të cilën ka paguar 231 mijë lekë për zhdoganimin. Sanxhaktari pohoi se subjekti ka deklaruar se velieren ia kishte lënë në përdorim kushëririt të tij që jeton në Orikum dhe se nuk ka asnjë shpenzim pasi i mbulon ai.

Sanxhaktari shtoi se nga hetimi ka rezultuar se nëna e subjektit, që është konsideruar si person i lidhur prej Komisionit, ka lidhur kontratë për një apartament dhe vend parkimi për barkën në Orikum. “Duket se subjekti nuk ka qenë i sinqertë në deklarimin e tij për velierën”, tha Sanxhaktari dhe vijoi se duket se ai ka dashur të fshehë shpenzimet për vendparkimin e mjetit.

Omari deklaroi se e kishte blerë velierën në Napoli të Italisë, tek një artizan që i ndërtonte vetë, me të cilin kishte pasur miqësi që prej vitit 1997.

Për marrjen e apartamentit dhe të vendit të parkimit për barkën në Orikum, Omari theksoi se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin se nëna kishte kryer pagesa që prej vitit 2007, kohë prej të cilës ajo i kishte administruar këto pasuri. “Nuk ka lidhje me velierën”, pohoi ai.

“Nëna ka punuar si dentiste për 41 vjet. Kur doli në pension në vitin 1991, punoi privatisht deri në 2004-ën dhe ka pasur të ardhura të konsiderueshme”, vijoi Omari.

Një shtesë anësore me dy kate plus bodrum me sipërfaqe totale 48 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 16.2 m2, ka rezultuar se është ndërtuar prej babait të subjektit gjatë periudhës 1990-1995, kur ai nuk jetonte në Shqipëri dhe nuk ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Për mospërputhje në deklarime me dokumentet e siguruara nga Aluizni, Omari shpjegoi se ndërtesa në fakt përbëhej nga dy dhoma që gjendeshin në katin e parë dhe të dytë, ndërsa kati i tretë ishte një aneks. “Thjesht se njëra nga dhomat ka marrë emrin garazh”, tha Omari dhe shpjegoi se ndërtimi dhe procedura e legalizimit ishte ndjekur prej babait të tij.

Transaksionet e prindërve të padeklaruara

Sanxhakatri evidentoi transaksione të kryera nga prindërit nga subjekti, të cilat nuk janë deklaruar prej tij, edhe pse sipas Komisionit Omari zotëron pjesë takuese dhe se ata janë persona të lidhur.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se, në vitin 2015, në një llogari në emër të nënës është depozituar një shumë 160 mijë euro nga një shoqëri ndërtuese, ku babai i subjektit kishte porositur një dyqan me sipërfaqe 189 m2 në Tiranë në vitin 2010, për të njëjtën vlerë që është kthyer.

Në vitin 2012 është nënshkruar revokimi i kontratës së porosisë duke u kthyer palët në gjendjen e mëparshme dhe që vlera e paguar të rikthehej në vitin 2015, pasi shoqëria ndërtuese nuk kishte pasur likujditete të mjaftueshme.  Sanxhaktari tha se kontratat e nënshkruara nuk kanë qenë noteriale.

Sipas relatores, edhe pse subjekti ka qenë trashëgimtar i gjysmës së pasurive të të atit pasi ai ka ndërruar jetë, shuma 160 mijë euro është disponuar dhe përdorur nga nëna, e cila ka kaluar në llogarinë e mikeshës së përbashkët, shtetase italiane B.P., vlerën 60 mijë euro.

Një pjesë e vlerës është shpenzuar nga e ëma për lidhjen e kontratës së apartamentit dhe vendit të parkimit të barkës në Orikum, ndërsa me pjesën tjetër në shumën 80 mijë euro ajo ka blerë në vitin 2018 një apartament me sipërfaqe 134.4 m2.

Nga përllogaritja sipas çmimit të referencës së Entit Kombëtar të Banesave (EKB), ka rezultuar se ky apartament ka vlerën 14 milionë lekë.

“Nisur nga mosha e nënës së subjektit, duket se apartamenti është pasuri e fshehur”, pohoi Sanxhaktari e cila vërejti se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues.

Ajo vijoi se subjekti nuk ka pranuar që këto pasuri të jenë të tijat dhe se ai nuk ka asnjë lidhje me to. “Subjekti i rivlerësimit duhet të provojë burimin e ligjshëm të babait për krijimin e shumës 160 mijë euro, si dhe të sqarojë transaksionet. Duket se subjekti e fsheh blerjen e pasurive dhe këto transaksione”, tha Sanxhaktari dhe theksoi se Omari nuk ka qenë bashkëpunues në hetimin e këtyre pasurive.

Në seancë u relatuan edhe disa gjetje të bazuara në informacionet e Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, DPPP.

Veç kontratës së qirasë së nënës së subjektit për marrjen për një periudhë 10-vjeçare të apartamentit dhe vend parkimit të vakrës në Orikum, u evidentua se babai kishte nënshkruar dy kontrata porosije në vitin në vitin 2011 për blerjen e dy vendparkimeve në Tiranë në vlerën totale 2.8 milionë lekë.

“Babai i subjektit nuk ka pasur makinë”, evidentoi Sanxhaktari, Ajo deklaroi se subjekti nuk ka deklaruar të drejtat reale mbi këto pasuri si dhe nuk ka bashkëpunuar për të dhënë shpjetime.

KPK ngre dyshime se këto janë pasuri të fshehura të Omarit, ose në të kundërt ai duhet të provojë burimet e ligjshme të babait dhe qëllimin e tij për blerjen e vendparkimeve, ndërkohë që nuk ka pasur makinë.

Omari tha se këto dy vendparkime nuk ishin blerë kurrë. Sipas tij, kishin qenë kontrata premtim, shitje, por nuk ishin realizuar.

Komisioni konstaton se Omari nuk ka deklaruar pasuritë e trashëguara prej babait pasi ai ka ndërruar jetë, një truall me sipërfaqe 460 m2 në Tiranë dhe dyqane me sipërfaqe 80 m2 tek Pazari i Gjirokastrës, të përfituara prej të atit me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të pronave.

Subjekti shpjegoi se dyqanet në Gjirokastër nuk ishin me hipotekë dhe prandaj nuk i kishte deklaruar. Ai shtoi se në këto pasuri mund të ketë 6% pjesë takuese. “Trualli është njohur, por nuk është kthyer, prandaj nuk është deklaruar”, sqaroi ai.

Subjekti pretendoi se nuk mund të ishte person i lidhur me prindërit e tij. “As kam dhënë dhe as kam marrë”, tha Omari dhe shtoi se nëna kishte punuar si dentiste dhe babai si inxhinier duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake për periudhën 2003-2016 e kryer në KPK, ka rezultuar balancë negative në shumën totale 26 milionë e 927 mijë lekë, ku është përfshirë edhe mundësia e krijimit të depozitës 135 mijë euro në vitin 2015.

Ndërkohë, Sanxhaktari tha se në analizë nuk janë përfshirë pasuritë në emër të familjarëve për të cilat janë ngritur dyshime për fshehje.

Në fund të fjalës së tij, Omari kërkoi rishikimin e analizës financiare bazuar në provat dhe shpegimet e tij si dhe kërkoi të riçelej hetimi edhe për dy kriteret e tjerë, figurën dhe profesionalizmin. KPK njoftoi se seanca e radhës kur pritet të shpallet vendimi do të zhvillohet më datë 6 korrik, ora 09:15./ BIRN

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!