Shfrytëzimi i pyjeve për arsye ekonomike është e ndaluar përmes një moratorium i miratuar në vitin 2016 nga qeveria Rama. Por sëpata e krimit ka punuar pa mëshirë edhe këto vite duke shkatërruar qindra hektarë masive pyjore në Shqipëri. Problematika fillon shumë vite më parë. Prej 30 vitesh pyjet e Shqipërisë shfrytëzohen në kundërshtim të plotë me ligjin. 15 vitet e fundit Shqipëria ka humbur 30% të sipërfaqes së pyjeve dhe vlera e saj llogaritet në rreth 1 miliard dollar fitime nga kompanitë e licencuara nga shteti. Emisioni “vetting” ka udhëtuar ne disa masive pyjore ne Përrenjas, Librazhd, Ersekë dhe Bulqizë për të sjellë në vëmendjen e publikut masakrën që ka ndodhur e po ndodh në pyjet.
Në vitin 2015 një kompani fitoi koncesionin për të shfrytëzuar masivin pyjor “Shesh-Bulqizë”. Banorët reaguan menjëherë duke bllokuar mjetet që nisën të hapin rrugën drejt pyllit. Banorët protestonin çdo ditë duke e bërë të pamundur punën e kompanisë për shtrimin e rrugës që të çonte tek pylli. Do të vinte momenti kur policia në mbështetje të kompanisë private arrestoi burrat e fshatit. “Nuk kemi pranuar. Me gjak do e lajmë këtë vend dhe nuk e lirojmë” tha një banore. “Gjallë nuk i lëmë” tha një tjetër banore.
Nën dhunë policore dhe kërcënimin e kompanisë që kërkonte shfrytëzimin e pyllit, gratë e këtij fshati morën një vendim të vështirë. Gra e fëmijë u bënë mburojë për të ndalur shkatërrimin e pyllit. Kështu shpëtoi pylli dhe sot vazhdon të jetë një ndër vendet me peizazhet më të bukura të Shqipërisë, i mirëmbajtur dhe i padëmtuar.
Ka një tjetër histori që na tregon se si pyjet mund të ruhen e mirëmbahen nga komuniteti. Ky pyll rreth 8 hektarë, gjendet në Priskë të Madhe, pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Kur Xhemal Luca u shpërngul nga Dibra në vitin 1986 dhe u vendos në Priskë të Madhe, ky pyll nuk ekzistonte. Ka pasur mjaft raste kur pylli kërcënohej nga sëpata në duart e njerëzve që mbroheshin nga pushteti. Duke qenë se prej 30 vitesh ai kujdeset për këtë sipërfaqe pyjore, 75 vjeçari tregon se dëshira e tij është ta ketë të paktën në përdorim. Sipas tij, deri tani kjo ka qenë e pamundur.
Pavarësisht përvojës pozitive, autoritetet nuk e kanë stimuluar administrimin e pyjeve nga komuniteti. Gjatë këtyre viteve kur masakra mbi drurët shekullorë nuk është ndalur dhe sipërfaqet pyjore po tkurren me ritme të shpejta, përpjekjet për krijimin e pyjeve të reja dhe sipërfaqet e pyllëzuara rishtaz, janë të papërfillshme. Drejtuesja e mjedisit Klodiana Miraka thotë se deri në vitin 2020 janë mbjellë 20 milion fidanë, duke përfshirë këtu bimët për qëllime bujqësore.
***
Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.
/ Abcnews.al