“Një gjeneratë për t’i dhënë fund tmerrit”. Kaq do t’i duhet Londrës për të shpëtuar nga vorbulla e dhunës që e ka përfshirë. Në një intervistë për BBC, kryebashkiaku Sadik Khan ka dhënë alarmin për përhapjen e dhunës edhe tek fëmijët, të cilët sipas tij priren të anëtarësohen në banda.
Për të zgjidhur problematikën e dhunës që e ka përfshirë, Londrës do t’i duhen të paktën 10 vjet. Në një intervistë për BBC, kryetari i bashkisë së metropolit britanik, Sadik Khan deklaroi se për të arritur progres domethënës në këtë aspekt, një dekadë është më se e nevojshme. Vetëm në 5 ditët e fundit, dy djem adoleshentë dhe një burrë u vranë me armë të ftohta në Londër. Për ministren e Brendshme, Viktoria Etkins, lufta kundër kriminalitetit të dhunshëm nuk lidhet vetëm me policinë. Që nga fillimi i vitit në kryeqytetin britanik janë regjistruar 118 vrasje, nga të cilat 73 me thikë, 12 me armë zjarri dhe të tjerat në rrethana të ndryshme. Bëhet fjalë për 2 raste më shumë se kuota e të gjitha vrasjeve të verifikuara përgjatë gjithë vitit të kaluar. Xhej Hjus, 15 vjeç, u vra në një dyqan të enjten e kaluar, ndërsa 17-vjeçari Malkolm Mid në një pikë karburanti ditën e premte. Duke vënë në dukje se në ditët e sotme edhe fëmijët e shkollës fillore mbajnë thikë me vete, kryebashkiaku Khan paralajmëroi se për zgjidhjen e problemit mund të duhet një gjeneratë e tërë. “Fëmijët e shkollës fillore mendojnë se jo vetëm është mirë të mbajnë thikë me vete, por ndihen të motivuar të anëtarësohen në një bandë, pasi kjo i bën të ndihen më të sigurtë”, tha Khan. “Duhet të përdorim të gjitha burimet që kemi në dispozicion për t’i dhënë zgjidhje këtij tmerri”, shtoi ai. Sipas të dhënave të bashkisë londineze, mbulimi policor i kryeqytetit është në minimumin historik të 20 viteve të fundit, me 3.3 oficerë çdo 1 mijë banorë. /abcnews.al