Teksa në vendin tonë janë shënuar 10 viktima në harkun kohor të dy ditëve, ministri Brendshëm, Bledi Çuçi ka drejtuar gishtin nga prokurorët dhe gjyqtarët si përgjegjës për ngjarjet e rënda kriminale që janë shënuar në vend, ndërsa shton se policia e shtetit nuk mund të kontrollojë çdo makinë, ashtu si nuk mund të parandalojë çdo sherr që lind mes fqinjëve.
“Një aksident tragjik rrugor, me pasojë katër jetë njerëzish, si rezultat i shkeljes së çdo rregulli shpejtësie nga ana e vrasësit, dhe një tjetër ngjarje me armë zjarri ku humbën jetën katër persona, për një parcelë plazhi në Velipojë. E mirëkuptoj plotësisht shqetësimin publik që kanë krijuar këto dy ngjarje, si edhe ankesën e zëshme ndaj Policisë së Shtetit. Por, dua të theksoj fort se: Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve. Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. ” tha Çuçi.
Më tej Çuçi ka shtuar se ka prokurorë gjyqtar e prokurorë që kanë dhënë vendime duke mos i dënuar shkelësit dhe kriminelët.
“Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA. Mjafton t’ju marrë një shembull: Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie. Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë.” tha Çuçi.
Ministri Çuçi tha se do të ketë ndryshime në komisariate e drejtori të policisë ndërsa shtoi se do të kërkohet edhe hetim të pasurisë së drejtuesve me makina të shtrenjta që kanë shkelje të përsëritura në drejtimin e mjetit. Ai tha se policia nuk ndal parcela plazhi por ruan zbatimin e ligjit aty për mos prekjen e plazheve publike dhe ndërtimet pa leje.
“Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi. Komisariati Digjital po forcohet nga pikëpamja teknologjike dhe operative, dhe më herët sesa vonë, do të jetë në dispozicion të çdo qytetari për t’u bërë krah i Policisë së Shtetit ne identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Më lejoni të përfundoj duke i siguruar të gjithë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat e kohës dhe nevojat e çdo qytetari shqiptar, ndaj garantoj se shumë shpejtë, të gjithë do ta prekin ndryshimin e mëtejshëm për mirë të Policisë së Shtetit.” tha ministri i Brendshëm
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi nga Vlora një plan të ri ristrukturimi të punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit pas vrasjeve dhe aksidenteve të rënda.
Kujtojmë se në vetëm dy ditë vendi ynë numëron 10 viktima. Mëngjesin e 25 qershorit rrugët u përgjakën ku në një aksident tragjik në autostradën Levan-Vlorë, u shua një familje. Aty humbën jetën Eduart Gushi 44 vjeç, Silvana Gushi 33 vjeç, Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe. Makina e kësaj familje u godit nga pas nga një “Audi” që drejtohej nga Igli Madani dhe që po udhëtonte me një shpejtësi rreth 200 km/h.
LEXO EDHE:Bilanc tragjik, shuhet familja me katër anëtarë në Vlorë, dy prej tyre fëmijë
Vetëm një ditë pas kësaj ngjarje një tjetër tragjedi ndodhi në vend, këtë herë në Velipojë, ku sherri mes pronarëve të dy hoteleve degjeneroi në përdorimin e armëve dhe të vrarë mbetën 4 persona. Viktimat e kësaj ngjarje të rëndë ishin Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërve Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimi fatkeq Musaen Zenelit 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend.
LEXO EDHE:Masakër në Velipojë, ekzekutohen 4 persona pas sherrit për shezlongët
Ndërkohë ditën e djeshme ndërroi jetë edhe një iu moshuar i cili u përplas nga një makinë në Tiranë, në buzë të lumit të Lanës, teksa po kalonte rrugën. Kështu bilanci shkoi në 9 viktima në vetëm dy ditë. Po ashtu gjatë mbrëmjes një tjetër person humbi jetën si pasojë e një aksidenti në Prrenjas. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rrajcë, ku një mjet ka goditur nga pas një zetor dhe për pasojë drejtuesi i zetorit Zeqir Lleshi ka humbur jetën. /abcnews.al/