Në datat 29 dhe 30 qershor qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura për vaksinimin e grupmoshës mbi 18 vjeç, ndërsa aplikimi do të bëhet përmes sistemit E-albania. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila theksoi se pavarësisht situatës së mirë pandemike, nuk jemi imunë ndaj COVID!
“Pavarësisht situatës së mirë pandemike, nuk mund të themi se jemi imunë, ndaj kemi vendosur që datat 29 dhe 30 qershor të jenë ‘open day’, ditë të hapura për vaksinimin për popullatën plus 18 vjeç”, tha ajo.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.
“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.
Ministrja e Shëndetësisë ka ritheksuar se sezoni i verës do të jetë një sezon i vaksinimit masiv, duke vaksinuar edhe në shtëpi, edhe në fshatrat më të largëta, ku nuk është mbuluar e gjithë popullata, sidomos më të moshuarit, që kanë pamundësi të shkojnë pranë qendrave të vaksinimit.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 930,126 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 389,436 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. m.v/abcnews.al