Prodhimi i energjisë në vend në periudhën janar-prill u rrit 2.2 herë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat zyrtare të sektorit tregojnë se nga 4.34 milionë MWh energji të prodhuar vetëm 70 për qind e saj shkoi për konsum në vend. Pjesa tjetër prej 1.3 milionë MWh llogaritet që ndër të tjera të ketë shkuar për eksport. Situata më e mirë hidrike ndryshoi tërësisht panoramën e sektorit të energjisë në vend sa i takon prodhimit që gjatë dy viteve të fundit ka qenë problematik dhe ka detyruar kompanitë e sistemit të bëjnë importe me kosto të lartë financiare.
Referuar të njëjtave shifra rezulton që të paktën 2.4 milionë MWh energji të jenë prodhuar nga ana e Korporatës Elektronenergjeitke Shqiptare përmes kaskadës së Drinit, ose 55.5 për qind të totalit. Ndërkohë pjesa prej 45.5 për qind rezulton të jetë prodhuar nga hidrocentralet private qoftë ata me përparësi që energjinë e shesin tek OSHEE qoftë dhe prodhuesit e pavarur si Ashta, Ayen dhe Devoll Hydropower që e shesin në tregun e lirë.
Vitin e shkuar në prodhim hyri hidrocentrali më i madh i ndërtuar në vend qysh nga koha e ndërtimit të kaskadës së Drinit, një investim i Statkraft mbi kaskadën e Devollit. Nga HEC-i i Moglicës u prodhuan për këtë 4 mujor 214,651 MWh energji apo 5 për qind e totalit të energjisë së prodhuar në vend. Hidrocentrali i Fangut dhe ai i Banjës kanë prodhuar mbi 3 për qind secili të totalit të energjisë.
Nga centralet eolikë është prodhuar vetëm 0.26 për qind e energjisë totale në vend duke vazhduar të zënë një vend modest, raport që pritet të ndryshojë me zbatimin e projekteve më të mëdha dy prej të cilëve janë dhënë nga qeveria përmes ankandeve dhe me çmim të fiksuar për blerje energjie për 15 vite.
Aktualisht Shqipëria bazohet totalisht tek prodhimi hidro i energjisë dhe fokusi për zgjerimin tek fotovioltaikët ka disa vite që nënvizohet si mënyrë për diversifikimin. Në vazhdën e kësaj tashmë diversifikimi është kërkuar të shtrihet edhe tek energjia nga era. Edhe pse ka disa projekte të shprehur ndër vite akoma nuk ka asnjë zbatim konkret ndërkohë që qeveria hapi ankandin e parë për dhënien e projekteve në energjinë eolike me një çmim tavan prej 75 MWh./Monitor