Mbrëmjen e djeshme me ndeshjet e grupit F u mbyll faza e grupeve të Kampionatit Europian, që tashmë hyn në një rrugë krejt tjetër, pa llogari dhe plot me emocione.
Me mbylljen e fazës së parë tashmë mund të bëjmë edhe një parashikim paraprak në lidhje me pretendentët, megjithëse surprizat zakonisht janë të pashmangshme.
Spanja gaboi dy herë të fitojë ndaj Polonisë dhe Suedisë dhe e futi veten në anën e “ferrit” në tabelën e shortit. Në njërën anë (në foton tonë, në anën e sipërme) janë radhitur pjesa më e madhe e pretendentëve dhe që tani kemi finale të parakohshme.
Belgjika luan më 27 qershor ndaj Portugalisë një nga ndeshjet më të forta të raundit të 1/8-ave. Fituesi i tyre, sfidon një mes Italisë dhe Austrisë.
Kështu, në çerekfinale mund të kemi një tjetër ndeshje, që do donim ta shihnim më vonë. Ndërkohë, Franca sfidon Zvicrën më 28 qershor dhe nëse fiton me shumë mundësi sfidon Spanjën (luan me Kroacinë).
Në anën tjetër Holanda e ka “autostradë”, të paktën deri në gjysmëfinale. Skuadra e De Boer sfidon në 1/8-at Çekinë dhe më pas ndeshet me fituesin e Uells-Danimarkë.
Nga ana tjetër shohim që tani Angli-Gjermani. Fituesi i këtij çifti e ka më të lehtë raundin çerekfinal sepse luan me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë. /abcnews.al