Skënderbeu e Partizani arritën fitore të njëjta në javën e 11-të të Superligës. Ia dolën vetëm 1-0, por kjo u mjaftoi që të shkëputen nga ndjekësit, në krye të renditjes.
Rivalët mbeten po ata, dhe në po atë distancë. E vërtetë që javën që kaloi u bë rokada dhe Skënderbeu doli mbi Partizanin, veçse duket se rivaliteti për titull mes tyre do të vazhdojë deri në fund.
Kampionët bënë detyrën ndaj Kastriotit, në vazhdim të një ecurie shumë të mirë, edhe pse nuk dhanë aspak atë që u prit prej tyre. Jo vetëm sepse fituan thjesht 1-0, falë një goli të kombinimit Bregu-Muzaka, por edhe pasi nuk ishin në nivelin normal, sidomos në mbrojtje.
Krutanët, tepër modestë këtë edicion, ia dolën disa herë ta vinin në vështirësi ekipin më të fortë të Shqipërisë, dhe fare mirë mund të kishin barazuar.
Jo se skuadra e trajnerit Shehi nuk pati rastet e saj, përkundrazi pati disa, porse nuk mendohej që Kastrioti i vendit të fundit do t’i nxirrte kaq shumë probleme, pavarësisht nga ardhja në stol e trajnerit Nica.
Megjithatë, Skënderbeu fitoi dhe mori tri pikë, po aq sa Partizani, që gjithashtu e pati tepër të vështirë ndaj Kamzës. Mesfushori vlonjat, Bruno Telushi, shënoi rrjetën e vetme të takimit në “Selman Stërmasi”, në një duel ku kamzalinjtë iu afruan barazimit në pjesën e dytë.
Sidoqoftë, Partizani goditi dy herë shtyllën përpara pushimit. Pas javës së 11-të, Skënderbeu kryeson Superligën me 26 pikë, ndjekur nga Partizani me 25, ndërsa skuadrat e tjera janë të paktën 6 pikë prapa. /abcnews.al