Pas më shumë se 10 orësh debat, Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullonte vendimin për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të vitit 2019 duke iu drejtuar Komisionit të Venecias për opinion. Në përfundim të seancës avokati Jordan Daci, që përfaqësoi shoqatën e bashkive, e cila inicioi padinë u shpreh se politika nuk arriti që të pengonte procesin.
”Është në të drejtë të Gjykatës ti drejtohet Venecias. Lajmi mirë është që gjykata kushtetuese funksionon, çdo tentativë e paligjshme, politike dështoi me sukses për të penguar gjykimin e kësaj çështje.
Besojmë se nuk do të ketë asnjë devijim, por në favor të pranimit të kërkesës sonë. Edhe debati tregoi se sa qesharakë bëhen përfaqësuesit e institucioneve tona se shiko se unë nuk shprehem për mendimin e institucioneve të mëparshme, apo nuk e di kur është bërë kërkesa.
Merita e shoqatës është që e ngriti në nivel kushtetues dhe ne kemi besim se gjykata do ta pranojë kërkesën tonë” tha Daci.
Por cfarë ndodhi sot?
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen më të nxehtë politike të 2 viteve të fundit që lidhet me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi erdhi në gjykatë për të kërkuar pavlefshmëri të procesit ku në pjesën më të madhe të vendit, qytetarët shqiptarë në fletën e votimit kishin vetëm 1 kandidatë, pas bojkotit të opozitës.
Përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në nisje të seancës, pezullim të gjykimit, deri në të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Por anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e rrëzuan kërkesën duke i dhënë në këtë mënyrë kryebashkiakes së Shkodrës, legjitimitet në krye të shoqatës që paralelisht drejtohet nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Përfaqësuesi ligjor i Voltana Ademit, Jordan Daci kërkoi shpalljen të pavlefshme, të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, duke kujtuar se Bindja Demokratike nuk ishte një subjekt i regjistruar në Gjykatë kur u përfshi në zgjedhje nga KQZ.
Sipas tij, qytetarët u përballën në fletën e votimit me vetëm një kandidat dhe nuk kishin mundësi të refuzonin procesin përmes votës. Daci foli edhe për dekretin e Presidentit Meta i cili anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe vendimin e njëanshëm të shumicës dhe KQZ për të zhvilluar procesin. Në seancë arsyet e anulimit të dekretit të datës së zgjedhjeve dha edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishi i cili foli për informacionet e kreut të shtetit për trazira në protestën e opozitës afro 1 muaj përpara zgjedhjeve.
Por përfaqësuesit e Kuvendit dhe të qeverisë i konsideruan legjitime zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, Mimoza Arbi, gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive.
Sipas saj, ligji parashikon qe Presidenti vetëm dekreton datën e zgjedhjeve por nuk ka asnjë përcaktim ligjor që i jep kreut te shtetit të drejtën për të anuluar zhvillimin e zgjedhjeve. Edhe për përfaqësuesen e kryeministrisë, Elira Kokona, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e kërkesës. Në fund Gjykata Kushtetuese vendosi ti drejtohet “Venecias”.
db/ Abcnews.al