“Kjo ishte ndeshja ime e fundit”, largohet trajneri i Maqedonisë së Veriut

schedule09:36 - 22 Qershor, 2021

schedule 09:36 - 22 Qershor, 2021

Ndeshja e djeshme ndaj Holandës ishte e fundit për Igor Angelovskin në krye të kombëtares së Maqedonisë së Veriut. Pas humbjes me shifrat 3-0 ndaj Holandës, trajneri doli në konferencë për mediet dhe njoftoi mbylljen e bashkëpunimit, pas 6 vitesh në krye të skuadrës, që arriti ta dërgojë në Europian për herë të parë në histori.

“Kjo është konferenca ime e fundit për shtyp në këtë cilësi, pasi kontrata ime me federatën maqedonase skadon më 31 korrik dhe unë nuk do të jem më trajner i Maqedonisë. Do ta kujtoj këtë moment për gjithë pjesën tjetër të jetës sime. Falënderoj stafin tim, lojtarët dhe gjithashtu familjen time për të gjithë mbështetjen e tyre. Ka qenë një nder të jem në krye të kësaj skuadre në një kampionat evropian.

Ne donim të bënim më mirë, por askush nuk duhet të zhgënjehej sepse ishte debutimi ynë në skenën e madhe dhe gjithçka që mund të bëj është të falënderoj lojtarët për përpjekjen e tyre. Kjo skuadër bëri histori duke arritur në Euro 2020 dhe ne duhet ta falënderojmë Pandev për gjithçka që ai ka bërë për futbollin maqedonas”, përfundoi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!