U luajt sot në “Allianz Arena” ndeshja më e bukur e këtij Europiani. Gjermania ka mundur të fitojë me shifrat 4-2 ndaj Portugalisë, pas ndeshje tërësisht të çmendur. Beteja nisi me dominimin total të Gjermanisë, që shënoi me Gosens në minutat e para, por një pozicion minimal jashtë loje anuloi gjithçka.
Ndërkohë që Gjermania sulmonte me gjithë forcat, Portugalia mundi të shënojë me një kundërsulm shumë të bukur të ndërtuar nga Bernardo Silva dhe Diogo Jota dhe të finalizuar nga kapiteni Ronaldo, që thellon rekordin e golashënuesit në Kampionatet Europiane (12). Pas golit të Portugalisë, Gjermania vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe u luajt në një portë.
Kuadrati në pjesën e parë ishte e mallkuar për lojtarët e Gjermanisë, që humbën raste pafund, por gjithmonë ekziston një zgjidhje. Këtë herë ata “detyruan” Portugalinë të shënojë dy rrjeta në portën e vet. Fillimisht Ruben Diaz e më pas Raphael Guerreiro në harkun e katër minutave (35′, 39′) përmbushën përmbysjen aq të rëndësishme të Gjermanisë.
Kjo e fundit në të dytën u kthye edhe më e pamëshirshme, teksa edhe lojtarët e saj u zhbllokuan dhe gjetën rrjetën. Kai Havertz dhe Robin Gosens gatuan golin e tretë në minutën e 51-të, me shokun e Gjimshitit asist-man dhe talentin e Chelseas si finalizues. Nëntë minuta më pas Gosens do të ndërronte rol.
Pas krosimit të Kimmich nga e djathta, 26-vjeçari nuk gaboi pranë portës dhe shënoi për 4-1, ndaj Portugalisë, që u duk e dorëzuar. Në fakt nuk ishte kështu sepse ata u rikthyen. Në minutën e 67, Ronaldo u bë sërish protagonist, këtë herë me një asist në limitet e fushës për Jotan, që shënoi pak centimetra nga vija fatale.
????? = ?
⏰1⃣5⃣⚽️ Ronaldo
⏰3⃣5⃣⚽️ Rúben Dias og
⏰3⃣9⃣⚽️ Raphaël Guerreiro og
⏰5⃣1⃣⚽️ Havertz
⏰6⃣0⃣⚽️ Gosens
⏰6⃣7⃣⚽️ Diogo Jota #EURO2020 pic.twitter.com/S7BQFCqqjR— UEFA Nations League (@EURO2024) June 19, 2021
Ky gol i dha hijeshi ndeshjes sepse gjermanët nuk mund të ishin të relaksuar. Loja u bë më e barabartë dhe të dy ekipet gjetën shtylla në portat kundërshtare. Gjithsesi deri në fund nuk kishte më gola dhe Gjermania merr tre pikët e para në këtë Europian dhe bën hap jetik për vazhdimin në këtë kompeticion.
Skuadra e Joachim Low numëron 3 pikë dhe renditet e dyta pas Francës, me pikë të barabarta me Portugalinë, të cilën e mundi në ndeshje direkte dhe i merr vendin në tabelë. Në ndeshjet e fundit në grupe, letra favorizon Gjermaninë, që sfidon Hungarinë dhe Portugalia ndeshet me Francën, në sfidën mes kampionëve. /abcnews.al