Kryebashkiaku i Gjirokastrës “godet”: Do i zhgënjejmë ata që rrënuan Luftëtarin

schedule20:16 - 18 Qershor, 2021

schedule 20:16 - 18 Qershor, 2021

Luftëtari falimentoi për shkak të borxheve të shumta dhe në Gjirokastër nuk kishin zgjidhje tjetër, vetëm që ta nisnin gjithçka nga fillimi. AF Luftëtari është emri i ri dhe rrugëtimi ka nisur nga Kategoria e Tretë.

Gjirokastritët siguruan ngjitjen në Kategorinë e Dytë dhe janë edhe dy shkallë të tjera për t’u rikthyer në elitë. Kryebashkiaku Flamur Golemi është i sigurt që kjo do të ndodhë shpejt.

Kreu i qytetit të Gjirokastrës ka reklamuar investimet e fundit të bërë në fushën stërvitore, ndërkohë që nuk mungojnë as “thumbimet” për drejtuesit e mëparshëm të Luftëtarit.

“Ata që e rrënuan Luftëtarin prisnin më pas të shihnin edhe dështimin tonë në ringritjen e klubit. Të vazhdojnë të bëjnë sehir nga dëshpërimi, por do t’i zhgënjejmë edhe kësaj radhe. Do të zhgënjejmë ata, por e sigurt që shumë më shumë do të lumturojmë.

Janë sportdashësit dhe qytetarët e Gjirokastrës që mbështesin gjithçka ne po bëjmë për të rikthyer Luftëtarin aty ku e meriton të jetë. Pas riorganizimit të klubit, sapo kemi përfunduar edhe rikonstruksionin e fushës së vjetër, ku ekipi ka kushte dinjitoze për t’u stërvitur.

E di shumë mirë se sot nuk është luks të kesh fushë me ndriçim e as dhoma zhveshje apo dushe me ujë të ngrohtë. Por nuk kanë pasur asgjë deri më dje, prandaj më gëzon pa masë ky investim që bëmë.

Luftëtari do të jetë më shumë herët se vonë në elitën e futbollit shqiptar. Suksese djema! Më e mira është e gjitha përpara”, shkruan Golemi në faqen zyrtare në Facebook. /abcnews.al