Pas infektimit me covid plasi sherri mes grupit, si u zbuluan bashkëpunëtorët e vrasjes së vëllezërve Haxhia

schedule11:53 - 17 Qershor, 2021

schedule 11:53 - 17 Qershor, 2021

Besjan Xhixha e Enver Diva u janë vënë prangat ditën e sotme, pasi akuzohen se janë të përfshirë dhe kanë bashkëpunuar në krimin e ndodhur kohë më parë ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia, në qytetin e Durrësit.

Abcnews.al, mëson se ka qenë dëshmia e të penduarit Klevis Alla, ajo që ka çuar SPAK në gjurmët e grupit kriminal që akuzohen për vrasje e grabitje. Pas dëshmisë së Klevis Allës, dy të arrestuarit e sotëm. Besjan Xhixha dhe Enver Diva, janë përgjuar nga SPAK për një kohë të gjatë, deri në mbledhjen e provave të nevojshme se ata janë të përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.

LEXO EDHE: 3 ditë para, Covid e “pengoi” të vriste vëllezërit Haxhia, si ankohej në media i arrestuari: Nuk kam ushqim

Sipas burimeve, mësohet se Besjan Xhixha nga Nikla dhe Enver Diva nga Fushë Mamurrasi janë kontaktuar fillimisht nga Nuredin Dumani bashkëpunëtor i Talo Çelës të cilët janë në kërkim për atentatin. Ata kishin rënë dakord për të kryer eliminim fizik të Besmir e Viktor Haxhia,madje kishin vëzhguar çdo lëvizje të dy vëllezërve, por në ditët e fundit ku ishte planifikuar vrasja, Enver Diva infektohet me Covid-19, dhe si pasojë “puna” e tyre nuk u çua deri në fund.

LEXO EDHE: Vrasja e vëllezërve Haxhia në Durrës, lihet në burg Altin Ndoci: Nuk kam lidhje, i kisha miq

Kjo solli edhe një acarim mes bandës. Mësohet se për shkak të kësaj pengese që kishte dal papritur Nuredin Dumani, ua “hoqi detyrën” Besjan Xhixhës dhe Enveri Divës. Ai raportohet se doli vet në terren për të eliminuar vëllezërit Haxhia. Më 27 prill 2020, sëbashku me Klevis Allën e Altin Ndocin, Nuredin Dumani hapi zjarr ndaj vëllezërve Haxhia teksa ata udhëtonin me makinën e tyre, duke i lënë të vdekur në vend.

Për vrasjen deri më tani është arrestuar Altin Ndoci, i cili po ashtu akuzohet nga Prokuroria edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në qytetin e Durrësit në Mars. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë edhe Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën se si kanë kryer vrasjet. Ndërkohë, prokuroria është duke hetuar edhe një pistë tjetër për shkakun e vrasjes së vëllezërve Haxhia, e cila lidhet me grabitjen e 5 milion eurove në Rinas. Dyshohet se vëllezërit Haxhia strehuan për disa ditë njërin nga grabitësit duke ngjallur konflikte për një sasi parash, të cilat kanë humbur.

LEXO EDHE: Në arrati për grabitjen e Rinasit, Talo Çela dyshohet se kërkoi ekzekutimin e vëllezërve Haxhia

Personi kyç i zbardhjes së kësaj ngjarje të rëndë ka qenë pikërisht Klevis Alla, pasi ai pas arrestimit ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë duke zbuluar të gjithë vrasjen. Madje ai ka rrëfyer se i njëjti grup ka ekzekutuar edhe të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit në qytetin e Durrësit në muajin mars. e.l/abcnews.al/