Portugalia ka vuajtur më shumë seç pritej, por ka arritur të fitojë ndaj Hungarisë në “Puskas Arena” plot me tifozë, falë një goli të Rafael Guerrero në minutën e 84-t dhe dopietës së Ronaldos, duke fiksuar shifrat në 0-3.
Ishin kampionët në fuqi që e nisën ndeshjen në sulm dhe tentuan të rrezikojnë vazhdimisht portën e vendasve. Në pjesën më të madhe të minutave u luajt në zonën e Hungarisë dhe kapiteni Ronaldo kishte rastin më flagrant, por gaboi të shënonte vetëm pak metra nga porta pas një pasimi nga krahët.
Edhe në pjesën e dytë loja foli për Portugalinë, por nuk ishte e lehtë. Hungaria u mbyll mirë dhe provoi kundërsulmet, madje gjeti rrjetën pas minutës së 70, por gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje. Në fund Portugalia kishte rezervuar golat.
Në minutën e 84-t ylli i Borussia Dortmund, Raphael Guerrero mundi të shënojë pasi lëshoi një goditje milimetrike në portën e Gulasci. Dy minuta më pas Rafa Silva fitoi një penallti dhe Ronaldo e mori përsipër.
Ylli i Juventusit goditi fort dhe tundi rrjetën. Pas dy minutash kapiteni u kthye sërish në skenë dhe shënoi për 0-3, duke i dhuruar tre pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij, pasi përpara tashmë do jenë Franca dhe Gjermania. /abcnews.al