Për shumicën prej nesh, pandemia ka nënkuptuar vetminë e detyruar. Por për të tjerët, ka qenë shansi për të shkuar në kërkim të asaj vetmie. Dhe ku është vendi më i mirë për këtë sesa në Arktik?
Në fakt, Valentina Miozzo shkoi një hap më tej. Ajo u zhvendos në veriun e largët të Norvegjisë, brenda Rrethit Arktik jo vetëm në mes të pandemisë, por kur netët polare 24-orëshe ishin në horizont. “Dhjetori dhe janari ishin dy muaj thjesht errësirë”, thotë ajo, raporton CNN, përcjella abcnews.al.
Miozzo, nga rajoni verior italian i Emilia Romagna, ia ndryshoi krejtësisht jetën pandemia. Ajo punonte si udhërrëfyese, shoqëronte italianët në udhëtime jashtë vendit. “Gjithçka ishte përqendruar në turizëm,” thotë ajo. “Jeta ime kalonte gjithnjë në rrugë, unë isha larg shtëpisë rreth gjashtë muaj në vit.”
Por, kur bota u godit nga pandemia, ashtu si të tjerët të panumërt në industrinë e udhëtimeve, jeta e Miozzo u ndal.
Në pamundësi për të udhëzuar, ajo vazhdoi të merrej me blog dhe të bënte punë promovuese në internet. Por pasi Italia kaloi një nga bllokimet më të ashpra në botë dhe u shfaq në verën e vitit 2020 me virusin me sa duket nën kontroll, këmbët e saj kishin filluar “të kruheshin” përsëri.
Kështu në Instagram pa një ofertë për të shkuar në Rrethin Arktik për të drejtuar një shtëpi për mysafirë. “Meqenëse nuk mund ta bëja më punën time me udhëtime, kjo ishte një mënyrë për të udhëtuar dhe për të jetuar një realitet tjetër, natyrisht në një mënyrë më statike,” thotë ajo.
Brenda dy ditësh, ajo pranoi dhe një muaj më vonë mbërriti në Kongsfjord, rreth 2,400 milje në veri të ish-shtëpisë së saj pranë Modena në Itali, përcjell abcnews.al.
Dallimet nuk mund të ishin më të mëdha. Modena është një qytet me 185,000 banorë i njohur për ushqimin e tij dhe katedralen e shek të 12-të. Nga ana tjetër, Kongsfjord ka vetëm 28 banorë dhe nuk ka asnjë arkitekturë mesjetare.
“Unë e dija se do të shkoja në një vend shumë, shumë të izoluar. E dija që ishte ekstreme dhe e dija se ishte në tundrën e Arktikut, por nuk kisha qenë kurrë në Norvegji,” tha Valentina.
“Pak pas mbërritjes sime, mbërritën edhe netët polare. Ishte një përvojë e pabesueshme, duke jetuar dy muaj plotësisht në errësirë. Nuk ishte shqetësuese, në fakt, është më e vështirë të jetosh me dritën”, thotë ajo.
Më vonë ajo ka përjetuar gjithashtu edhe dritën e diellit 24 orë, nga mesi i majit deri në mes të korrikut.
“Nuk ka perëndim dielli për dy muaj, dhe trupi nuk e pranon që është natë kur dielli është jashtë, kështu që është më e vështirë për të fjetur,” thotë ajo.
Valentina thotë më tej se është e pamundur të krahasosh Arktikun me diku tjetër, sepse thjesht nuk është si diku tjetër. Në fakt, ajo thotë se Norvegjia veriore është një botë ndryshe nga jugu i vendit. g.v/abcnews.al