Partizani e Skënderbeu luajnë sot kryendeshjen e Superligës

schedule13:55 - 29 Tetor, 2018

schedule 13:55 - 29 Tetor, 2018

Partizani e Skënderbeu luajnë sot ndeshjen më të rëndësishme të Superligës. Dueli do të jetë në orën 19:00 në “Selman Stërmasi”, në masa të forta sigurie, pas dhunës që shpërtheu në ndeshjen e parë në Korçë.

Kaloi një fazë dhe i erdhi radha të jenë sërish përballë. Partizani e Skënderbeu është dueli për kreun i Superligës, dhe do të luhet këtë herë në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, pasi korçarët fituan 1-0 në ndeshjen e parë të kampionatit.

Dy skuadrat mbajnë vendet e para, me Partizanin në krye me 22 pikë e Skënderbeun që e ndjek me 20, ndaj dhe sfida mes tyre është padyshim, kryesorja e Superligës këtë edicion. Partizani u grumbullua që të shtunën në Elbasan, ku e ka bërë normë që të presë ndeshjet. Trajneri Gega duhet të vendosë nëse kapiteni Alban Hoxha do të jetë titullar, me portierin që u stërvit me skuadrën.

Trashi është i pezulluar nga klubi, e titullar pritet Kalari, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime fizike. Pjesa tjetër e ekipit është gati, me shpresën tek treshja e sulmit Bardhi, Asani e Mala. Skënderbeu është në gjendje pak më të vështirë, pasi lajmet janë që dy lojtarë të rëndësishëm si Muzaka e Krasniqi nuk mund të luajnë për shkak dëmtimi.

Qendërmbrojtësi Radash ndërkaq pritet titullar, duke sakrifikuar. Trajneri Orges Shehi kërkon vetëm diçka nga lojtarët e tij teksa përgatitjet i zhvillon në Durrës. Ndeshja pritet me shqetësim për shkak të dhunës që shpërtheu në përballjen e parë në Korçë, dhe masat besohet se janë të forta.

Partizani informon se ka pajtuar rreth 50 punonjës privatë të sigurisë, dhe se bashkëpunimi me policinë do të jetë i plotë dhe i shpejtë. Tifozët, ndërkaq, besohet se do të jenë të shumtë në “Selman Stërmasi”, sidomos ata të Partizanit.

Grupimi “Ultras Guerrils” kanë akuzuar presidentin e korçarëve Takajn, si shkaktar të dhunës në ndeshjen e parë, duke theksuar se në kryeqytet asnjëherë nuk ka pasur dhunë kur janë ndeshur këta dy ekipe./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!