“Fshesa” në bregdet, Bledi Çuçi: Shemben 35 objekte, vija bregdetare do pastrohet nga çibanët

schedule15:44 - 12 Qershor, 2021

schedule 15:44 - 12 Qershor, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se deri më tani janë shembur 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare në Velipojë, Sarandë dhe Ksamil.

Çuçi shkruan se policia ka arrestuar 5 persona, ka shpallur në kërkim një dhe disa të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë. Ai e quan operacionin fundin e një marrëzie për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës.

 “Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës.

 Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet. E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime”, shkruan Çuçi. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!