Pesë vite më parë shkruanim historinë, kujtohet dueli i paharrueshëm me Zvicrën

schedule12:17 - 11 Qershor, 2021

schedule 12:17 - 11 Qershor, 2021

11 qershori i para pesë viteve mbetet një datë historike për futbollin shqiptar. Kombëtarja kuqezi zhvilloi për herë të parë në histori një ndeshje Europiani.

Ishte Euro 2016 që zhvillohej në Francë dhe në stadiumin e Lensit, që ishte i mbushur plot tifozë kuqezi, luanim përballë Zvicrës së Shaqirit dhe Xhakës.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Gianni De Biasi u përballën me helvetët me këtë formacion: Etrit Berisha, Lorik Cana (c), Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Taulant Xhaka, Ansi Agolli, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Odise Roshi, Armando Sadiku.

Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Ergys Kaçe (zëvendësoi Xhakën në minutën e 62-të), Sokol Cikalleshi (zëvendësoi Roshin në minutën e 74-t) dhe Shkëlzen Gashin (zëvendësoi Armando Sadikun në minutën e 82-të).

Sfida u mbyll me fitoren 1-0 të Zvicrës pas një ndeshjeje mjaft të luftuar, që u vendos nga goli i mbrojtësit Fabian Schar që në minutën e 5-të. Kapiteni Cana do të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 36-të (pas dy kartonëve të verdhë).

Taulant dhe Granit Xhaka hynë në histori si dy vëllezërit që luajtën me kombëtare të ndryshme në finalet e një Europiani.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes ishte spanjolli Carlos Velasco Carballo, kurse në stadium, aty ku dominonin ngjyrat kuqezi, ishin të pranishëm 33,805 spektatorë. Lojtari i ndeshjes u shpall mesfushori Granit Xhaka. /abcnews.al