Një aksident i rëndë ndodhi pasditen e sotme në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku një makinë tip Benz përplasi një këmbësore 23-vjeçare. ABC mëson se në timonin e makinës luksoze ishte Jehon Breçani, 19-vjeç. Ky i fundit është djali i Erzen Berçanit, ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 19:15, ku makina luksoze nën drejtimin e 19-vjeçarit Jehon Breçani, dyshohet se për shkak të shpejtësisë doli nga rruga dhe përplasi gruan 23-vjeçare dhe më pas u përplas me një pemë që ishte buzë rrugës. Aksidenti ka qenë aq i fortë sa mësohet se gruaja e aksidentuar, identiteti i të cilës ende nuk është bërë i ditur, pësoi dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme. Raportohet se ajo humbi njërën këmbë. 23-vjeçarja për disa minuta qëndroi në trotuar, ndërsa ndihmën e parë e mori nga kalimtarë të rastit të cilët edhe njoftuan ambulancën. E reja u dërgua më vonë në spitalin e Traumës ku edhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa gjendja e saj vijon të jetë e rënduar.
Nga ana tjetër drejtuesi i Benz-it, me targa AA 888 XX, është shoqëruar në komisariatin nr.4 në Tiranë ku do të përballet me veprimet e mëtejshme hetimore. Sipas asaj që mësohet nga burimet në polici, i riu i është nënshtrua edhe testit të alkoolit, por nuk rezultoi që ai të ishte nën efektin e pijeve alkoolike.
ABC, publikoi pamjet e vetëm pak sekondave pas aksidentit, ku e reja shihej e shtrirë në tokë dhe qytetarët që e këshillonin të mos lëvizte. Në videot e siguruara nga ABC dëshmitarë të rastit deklarojnë se e reja ishte në trotuar, kur makina befasisht e kishte goditur.
Rruga “Xhanfize Keko” është një nga rrugët më problematike për sa i përket aksidenteve. Kujtojmë se në fillim të vitit që lamë pas, një aksident tragjik po në këtë rrugë u mori jetën dy personave. e.l/abcnews.al/