“Amerika është rikthyer” dhe “demokracitë janë bashkuar për të përballuar sfidat e së ardhmes”. Kështu nisi fjalimin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, para trupave të Forcave Ajrore Mbretërore Mildenhall, Britani, baza ajrore që mbështet operacionet e aviacionit amerikan.
“Ne do t’i përgjigjemi veprimeve armiqësore nga Rusia.” “Ne nuk po kërkojmë konflikt por një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë”, tha Biden duke përsëritur faktin se SHBA-ja do t’i përgjigjet çdo veprimi armiqësor nga Moska.
“Unë do të riafirmoj angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e ndërsjellë të vendeve të NATO-s”
Një angazhim që Donald Trump nuk e kishte konfirmuar publikisht katër vite më parë. Angazhimi amerikan ndaj Aleancës Atlantike, është shumë i fortë por ai theksoi nevojën për të modernizuar organizatën dhe aftësitë e saj në sektorin kibernetik.
Biden ka nisur dje turin e tij 8 ditor në Europë, 5 muaj pas marrjes së detyrës. Të premten deri në të dielën në mëngjes, Biden do të marrë pjesë në samitin e G7 për të diskutuar rreth ndryshimit të klimës, rritjen e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit dhe teknologjinë.
Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, qëllimi kryesor i presidentit do të jetë “mobilizimi i demokratëve për të përmbushur sfidat më të mëdha të kohës sonë”, përfshirë rritjen e fuqisë kineze dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë të vendit të madh aziatik me Rusinë.
Të hënën dhe të martën tjetër, Joe Biden do të marrë pjesë në samitin dy-ditor të NATO-s në Bruksel. Ai do të takohet me Presidentin turk Tayyip Erdogan. Temat kryesore që do të diskutohen do të jenë Rusia, Kina, sulmet kibernetike dhe ndryshimi i klimës, sipas një njoftimi nga sekretari i përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg.
Ndalesa e fundit e misionit europian të Biden pritet të jetë takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën e ardhshme. Sipas Sullivan, ky takim është mënyra më efektive për të diskutuar dhe menaxhuar diferencat midis SHBA-së dhe Rusisë./abcnews.al