Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës së Hagës për lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiç i cili akuzohet për gjenocid. Osmani ka shpërndarë reagimin e Presidentit të SHBA, Joe Biden ku ky i fundit e konsideroi të rrallë e historik vendimin e sotëm.
Osmani shprehet se s’ka më dyshime se synimi i Millosheviçit, Mlladiçit dhe anëtarëve të regjimit ishte gjenocidi. Më tej presidentja e Kosovës shkruan se rajoni ka një rrugë të gjatë për të siguruar të gjithë të marrin drejtësi.
“Kur shohim një verdikt të tillë sikurse ky i ditës së sotme, njerëzit dhe familjet që përjetuan vuajtjet e parrëfyera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit do ndjehen një hap më pranë drejtësisë. Nuk ka tashmë dyshime se qëllimi i Millosheviçit, Mlladiçit e të tjerëve që ishin pjesë e atij regjimi, ishte gjenocidi.
Ky gjykim do të hyjë në histori si një rast i rrallë i drejtësisë i dhënë, por rajoni ka një rrugë të gjatë për të bërë për të siguruar që të mbijetuarit e tjerë dhe familjet e të zhdukurve gjithashtu të marrin drejtësi”, shkruan Osmani. e.l/abcnews.al/