Sergei Skripal ishte një “minë me sahat”, që nëse shpërthente do t’i shkaktonte dëme të mëdha politikës dhe shërbimeve sekrete ruse. Sipas BBC, që ka bërë një investigim mbi ish-agjentin rus, ai po ndihmonte qeveritë e Perëndimit në zbulimin e celulave të spiunazhit rus dhe mafias ruse.
Helmimi i ish-agjentit të shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal ka në prapaskenë një mori motivesh. Në një investigim, rrjeti informativ britanik BBC denoncon se Skripal, ndryshe nga sa mendohej, nuk ishte një ish-agjent i tërhequr spiunazhi që bënte një jetë të qetë në Angli. Sipas BBC, deri në ditën e helmimit ai ka qenë më aktiv se kurrë, duke vepruar në shumë vende të Europës. Një nga ndalesat e tij kishte qenë Praga, ku sipas burimeve të BBC Skripal po u ofronte shërbimeve sekrete vendase informacione mbi inteligjencën ruse në Republikën Çeke. “Ai po punonte për çështje të nivelit të lartë dhe kishte informacion për agjentët e GRU-së ruse“, ka deklaruar Ondrej Kundra, gazetar i revistës “Respekt”.
Dhe në fakt, ambasada ruse në Çeki është vatra ku inteligjenca ruse përgatit misionet e fshehta në mbarë Europën. “Nëse ka qenë aktiv në identifikimin e agjentëve ruse, kjo është pa dyshim arsyeja përse ai u helmua”, ka thënë një burim konfidencial për BBC. Një tjetër hipotezë është që ai të jetë sulmuar për shkak të informacioneve që po u jepte qeverive të Perëndimit mbi mafian ruse dhe lidhjet e saj me Kremlinin. Për këtë arsye, Skripal kishte qenë edhe në Spanjë, por të kontaktuara nga BBC, autoritetet iberike kanë refuzuar të japin të dhëna mbi qëndrimin e tij. Kur bëhet fjalë për mafian ruse mund të ngrihet një paralele mes rastit të Skripal dhe atë të Aleksandar Litvinenko, që po ndihmonte shërbimet sekrete britanike dhe ato spanjolle me informacione mbi lidhjet e krimit të organizuar rus me politikën, por u helmua pak përpara se të dorëzonte provat tek prokurorët. “Kemi konstatuar ndërveprim mes anëtarëve të mafias dhe aparateve publike.
Bëhej fjalë për zyrtarë të korruptuar. Por ndërveprim mes mafias dhe Kremlinit nuk kemi parë”, ka deklaruar prokurori spanjoll Hoze Grinda, që prej dekadash heton ndikimin e mafias ruse në Spanjë. “Nuk e njoh rastin Skripal, por nëse është helmuar, kjo ka ndodhur sepse dinte diçka”, ka vijuar Grinda. Skripal ishte aktiv edhe në Zvicër, Estoni dhe Shtetet e Bashkuara, vijon investigimi i BBC, që shton se motivet për eleminimin e tij mund të jenë të shumta, që nga aktiviteti i tij deri tek dobësimi i Britanisë nga Brexit dhe ndërhyrja në aferat e mafias./abcnews.al