Deputeti gjerman Peter Beier i Unionit Kristian democrat të Merkel i ka bërë të qartë serbisë se nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin europian pa njohur pavarësinë e Kosovës. Ai shtoi se Beogradi nuk duhet të frikësohet nga krijimi i ushtrisë së Kosovës. Ky sipas tij është një proces i rëndësishëm pasi Kosova ka nevojë të marrë përgjegjësitë për sigurinë e saj në të ardhmen.
Mediat serbe kanë pasqyruar vizitën e deputetit gjerman Peter Beier, i partisë së kancelares gjermane Merkel, në Prishtinë. Sipas mediave ai ka sjellë një mesazh të qartë të Merkel, sipas të cilit Serbia duhet të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës.
E nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas Beier, Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Një paralajmërim ky që ai e coi dhe në Beograd.
I pyetur se si e shihte zgjidhjen përfundimtare mes Kososvës dhe serbisë, Beier u shpreh: “Është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se ka qenë e qartë që në fillim të dialogut mes Beogardit dhe Prishtinës: normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve nuk mund të ndodhë deri në momentin e që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Kjo duhet të jetë shumë e qartë.”
Në një intervistë për serben Tanjug, Beier që është njëkohësisht dhe koordinaroti I bashkëpunimeve transatlantike në parlamentin gjerman, tha se Gjermania kundërshton idenë e shkëmbimit të territoreve.
Ai theksoi se kancelarja Merkel ishte e vetmja lidere europiane në BE që në mënyrë të qartë e konsideron këtë si një ide të rrezikshme. Jo vetëm për stabilitetin e Serbisë dhe Kosovës, por dhe për rajonin. Madje ajo ka kërkuar që palët të heqin dorë menjëherë nga ky plan.
Duke I kërkuar palës serbe dhe asaj kosovare që të shihnin dhe njëherë atë që kanë firmosur në Bruksel dhe të fillojnë të implementojnë marrëveeshjet e arritura, Beier tha se një nga opsionet e pranueshme si zgjidhje në këtë rast ishte dhe modeli i ashtuquajtur i dy Gjermanive.
Në fund të intervistës së tij, politikani gjerman theksoi se Serbia nuk duhet të frikësohet nga krijimi i ushtrisë së Kosovës. Qëndrimi i Gjermanisë është që ky process të bëhet ngadalë dhe jo shumë shpejt. Ky sipas tij është një proces i rëndësishëm pasi Kosova ka nevojë të marrë përgjegjësitë për sigurinë e saj në të ardhmen. /abcnews.al