Nga Esiona Konomi
Byroja e Kuvendit ka vendosur që gazetarët dhe kamerat e televizioneve të mos lejohen më në ambientet e komisioneve parlamentare.
“Duket se është një qasje e vetë qeverisë, për të bërë një lloj pengese deputetëve të zgjedhurve të saj që të mos kenë kontakt me gazetarët, në komunikimin nëpër korridore për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit. Qeveria është e kujdesshme që qytetarët të mos informohen dhe gazetarët të mos kenë informacionin e nevojshëm për të vijuar më pas me ndjekjen e denoncimeve”, ka thënë gazetarja Enkelejda Mema.
“Disa deputetë që mund të jenë për herë të fundit në parlament mund të vendosin se çfarë do të ndodhë në shtator që do të jetë një parlament i ri me deputetë të rinj”, ka thënë një tjetër punonjëse e medias.
Sipas rregullores së re, kamerat nuk do të lejohen në asnjë rast të hyjnë në godinë, përjashtuar ato raste kur deputeti do të ketë pranuar intervistën.
Gazetarët do të rrinë vetëm në një sallë në katin e parë, ku mund të shohin mbledhjet nga ekrani, por nuk mund të afrohen tek sallat e mbledhjeve, duke i larguar kështu nga ligjvënësit apo ministrat.
“Për ne parlamenti ka qenë i vetmi opsion për të bërë lajme të mirëfillta. Ne kishim mundësi që ti drejtonim pyetje drejtorit të një institucioni, mund të kishim pyetje për deputetët në lidhje me ndonjë vendim që mund të merrej në dhomat e parlamentit, por tashmë ky është një vendim që do të centralizojë gjithë jeta parlamentare”, ka thënë gazetarja Ambrozia Meta
Unioni i Gazetarëve kërkon negociatë mes Kuvendit dhe reporterëve.
“Shprehim rezerva tona për efekte apo premisa dhe deri në censurim që mund të shfaqë kjo praktikë dhe përmirësimi i të cilave është shumë i mundshëm. Kjo është një çështje që meriton të negociohet mes kuvendit të Shqipërisë dhe grupeve të interesit”, ka thënë kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, i pyetur për këtë çështje nga ABC, nxitoi të mbyllë gojën përmes maskës.
Gazetarëve ju janë bashkuar edhe organizma të ndryshme që kujdesen për transparencën dhe demokracinë, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi. Instituti i Studimeve Politike thotë se ky vendim ju shërben deputetëve, por jo publikut, si dhe krijon pabarazi përmes medias, për sa kohë TVSH dhe ATSH kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në çdo ambient të Kuvendit./abcnews.al