Tifozët dhe detyrimet për t’u futur në stadium, çfarë duhet të dini për Euro 2020

schedule13:18 - 5 Qershor, 2021

schedule 13:18 - 5 Qershor, 2021

Nga Dorina Kurtaj

Euro 2020 erdhi. Gara më e rëndësishme europiane e kombëtareve të futbollit ishte programuar të zhvillohej verën e vitit të kaluar, që përkonte me 60-vjetorin e Europianëve (1960-2020), por organizatorët u detyruan ta shtynin për shkak të situatës së vështirë që shkaktoi shpërthimi i pandemisë së koronavirusit.

UEFA vendosi ta quajë sërish Euro 2020. Turneu fillon më 11 qershor me sfidën Itali-Turqi – në “Olimpiko” të Romës – dhe përfundon më 11 korrik. Finalja e madhe do të zhvillohet në “Uemblei” të Anglisë.

24 skuadra marrin pjesë të ndara në gjashtë grupe:
Grupi A: Turqia, Italia, Uellsi, Zvicra
Grupi B: Danimarka, Finlanda, Belgjika, Rusia
Grupi C: Holanda, Ukraina, Austria, Ilirida
Grupi D: Anglia, Kroacia, Republika Çeke, Skocia
Grupi E: Spanja, Suedia, Polonia, Sllovakia
Grupi F: Portugali, Franca, Gjermania, Hungary

Dy ekipet e para të çdo grupi sigurojnë kualifikimin në raundin e 1/16, aty ku do të kalojnë edhe katër skuadrat më të mira të vendeve të treta. Europiani do të zhvillohet për herë të parë në disa shtete të ndryshme. Ishin përzgjedhur 12 vende, por Dublini u tërhoq dhe ndeshjet e programuara të luheshin në kryeqytetin irlandez do të mbahen në Londër dhe Shën Petersburg, ndërsa Bilbao u zëvendësua nga Sevilja.

 

Vendet pritëse do të jenë 11: Anglia (Londër), Skocia (Gllasgou), Italia (Romë), Holanda (Amsterdam), Rusia (Shën Petersburg), Hungaria (Budapest), Rumania (Bukuresht), Azerbajxhani (Baku), Danimarka (Kopenhagen), Gjermania (Mynih) dhe Spanja (Sevilja).

Po tifozët? Situata e Covid-19 është përmirësuar kohët e fundit, vaksinimet po japin efektin e shumëpritur dhe numri i personave të infektuar po ulet nga dita në ditë. Europian pa tifozë nuk ka kuptim dhe nuk krijon asnjë emocion, kështu që UEFA ka vendosur hapjen e pjesshme e diku edhe të plotë të stadiumeve.

Çfarë është e detyrueshme për tifozët? Maskat janë të detyrueshme brenda dhe përreth stadiumit. Duhet të mbahet një distancë minimale prej 1.50 metrash. Vetëm vendi i treguar në biletë mund të përdoret. Rekomandohet larja dhe dezinfektimi i duarve. Dezinfektuesit do të jetë në dispozicion në të gjithë stadiumin.

Duhet të shmangen shtrëngimet e duarve, përqafimet dhe kontakti i ngushtë me të tjerët. Të gjithë duhet gjithashtu të qëndrojnë në vendet e tyre gjatë pjesës së parë dhe të kufizojnë lëvizjen sa më shumë që të jetë e mundur. Shenjat në stadium do të tregojnë rrugën. Kushdo që ndihet keq ose ka simptoma të Covid-19 nuk duhet të shkojë në stadium. Përveç kësaj, të njëmbëdhjetë vendet kanë udhëzime të ndryshme për pranimin në stadium.

 

Budapesti është i vetmi që do të pranojë një stadium të mbushur plot: “Puskas Arena” ka një kapacitet prej 61 mijë tifozësh. Për tifozët hungarezë kërkohet karta e imunitetit; që nënkupton se tamponi negativ nuk mjafton. Vendasit duhet të jenë negativ, të kenë kaluar Covid-19 dhe duhet të jenë vaksinuar. Rregulla më të lehta për tifozët e huaj, të cilët mund të futen në “Puskas Arena” edhe me një rezultat negativ të tamponit (të kryer në 72 orët e fundit).

Mynihu ka pranuar deri tani pjesëmarrjen e 14.500 tifozëve në stadiumin “Alianz Arena”, që ka një kapacitet prej 70 mijë tifozësh. Përdorimi i planifikuar i kapaciteteve të stadiumeve ndryshon në varësi të qytetit pritës. Teksa Budapesti është i vetmi vend që planifikon një stadium plot me tifozë, Baku dhe Shën Peterburg synojnë mbushjen e 50% të kapacitetit të stadiumeve.

Kopenhagen lëkundet midis 32-45%, ndërsa qytetet e tjera kanë siguruar futjen e tifozëve në masën 22-32% të kapaciteteve të stadiumeve. Në Amsterdam kanë vendosur të hapin stadiumin “Johan Cruijff Arena” me 25%  – rreth 12 mijë tifozë. Tifozët? Mjafton një tampon negativ për t’u futur brenda.

 

Edhe Bukureshti do të lejojë të mbushet “National Arena” me 25% të kapacitetit. 13 mijë tifozë do të shohin duelet e zjarrta ‘live’. Kushti? Mjafton një tampon negativ dhe të kesh kryer vaksinën ose të kesh kaluar koronavirusin.

Baku do të presë 30 mijë tifozë në “Olympic Stadium” për të cilët nuk ka asnjë detyrim apo kusht për të ndjekur nga afër skuadrat e zemrës, mjafton bileta. Gjithsesi, autoritetet azere kanë theksuar se ndryshimet janë të mundshme deri në momentin e fundit, kjo në varësi të situatës së Covid-19.

Kopenhagen do të hapë “Parken Stadium” në masën 45%. 15.900 tifozë do të futen në stadium. Tamponi negativ kërkohet, ashtu si edhe vaksina ose prova e imunitetit, por rregullat përfundimtare do të përcaktohen pak ditë përpara nisjes së turneut prestigjioz.

Gllasgou i Skocisë është një tjetër vend pritës. Autoritetet ishullore kanë vendosur që 25% e kapacitetit të stadiumit “Hampden Park” të mbushet me tifozë: 12 mijë të pranishëm. Këta të fundit duhet të kenë vetëm biletën. Asnjë kusht tjetër për momentin, njësoj si në Baku të Azerbajxhanit.

 

Sevilja? 30% e stadiumit “Estadio La Kartuja” do të mbushet me tifozë, pra 17 mijë persona. Autoritetet e qytetit andaluzian nuk kanë përcaktuar asnjë kusht për hyrjen e tifozëve. Gjithçka do të qartësohet në ditët e ardhshme.

Më shumë të pranishëm në duelet e tokës ruse. Shën Peterburg lejon që 50% e stadiumit “Saint Petersburg Stadium” do të jetë i mbushur. 30.050 tifozë do të bëjnë tifozllëk në shkallë dhe mjafton matja e temperaturës në hyrje të stadiumit dhe një tampon negativ, në rusisht ose anglisht.

Kalojmë në “Olimpico” të Romës. Stadiumi i qytetit të përjetshëm do të hapet në masën 25%, që përkthehet në 16 mijë tifozë të pranishëm, të cilët mjafton të paraqesin një tampon negativ ose të kenë kryer vaksinën për t’u futur në stadium.

 

Mynihu është qyteti gjerman që do të presë katër ndeshje të Euro 2020, njësoj si edhe stadiumet e tjera – përveç Uemblei. Në “Mynih Football Arena” do të lejohen 14.500 tifozë, ndryshe 22% e kapacitetit. Tamponi negativ mund të kërkohet, por nuk përjashtohen masa shtesë në ditët në vijim.

Në fund Londra. 25% e “Uemblei” do të jetë i mbushur me tifozë – 22.500, teksa nuk është marrë akoma vendim për dy duelet gjysmëfinale dhe finalen. Tetë ndeshje do të zhvillohen në stadiumin anglez, që pret më shumë përballje se të tjerët.

Kushtet për tifozët janë njësoj si në Gjermani për momentin. Një tampon negativ mjafton, por vendimet zyrtare do të merren në ditët në vijim, pasi gjithçka varet nga situata e të infektuarve në vend. /abcnews.al