Kritiku letrar dhe eseisti Agim Baçi është shprehur sonte në emisionin “Refleksione” në ABC rreth konceptit të humbjes. “Të pranosh humbjen është kulturë po të dish të menaxhosh fitoren sërish është kulturë. Në të dyja rastet kemi arrogancën e fituesit dhe disfatën e shquar qartë te humbësi.
Që i vogël më ka pëlqyer një shprehje arabe që thoshte “Nuk është turp të rrëzohesh, turp është të mos ngrihesh” dhe disfata shtohet vetëm nëse humbjen vazhdon ta shohin në mënyrë të errët duke mos lexuar asgjë që të ka ardhur për ta mësuar nga ajo që të ka ndodhur, ndërsa fitorja mund të kthehet në humbje nëse ti mendon që ka qenë vetëm aftësi e jotja dhe fati ka qenë i gjithi me ty dhe ti i meriton të gjitha gjërat kështu që të jepet e drejta t’i mposhtësh dhe t’i tregosh të tjerëve një lloj autoriteti tjetër, një lloj arrogance dhe kjo e errëson fitoren, sic nuk jep dritë humbja kur nuk shikon tek ajo gjerat që të kanë dhënë leksion për jetën që të mos t’i përsëritësh më.
Kush i thotë tjetrit në sy të vërtetën duhet ta ketë kalin e shaluar dhe kush e thotë me zë të lartë duhet të ketë krahë për të fluturuar por unë besoj që humbja ka gjithmonë leksionet e veta.
Është shumë e nevojshme të jesh fisnik në humbje siç duhet të jesh edhe një njeri mirënjohës në fitore. Realisht në politikën tonë as humbësit e as fituesit nuk dinë të sillen. Kemi një arrogancë të fituesit dhe një paraqitje disfatiste dhe refuzuese të atij që humb, sikur bota mbaron aty.
Ndoshta në Shqipëri kjo është e lexueshme për shkak se humbësit dhe fituesit e lidhin me përditshmërinë e tyre, me jetën e tyre, janë shumë të lidhur me politikën dhe përmes humbjes dhe fitores shikojnë ekonominë e tyre, shikojnë buxhetin e familjes së tyre ndaj dhe ka këtë kosto më të madhe për shqiptarët humbja dhe fitorja.”- deklaroi Baçi./ Abcnews.al