Matthew Palmer: 80 votat “pro”, historike për Maqedoninë

schedule23:46 - 22 Tetor, 2018

schedule 23:46 - 22 Tetor, 2018

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer ka vizituar Shkupin, ku ka përcjellë mesazhin se Shtetet e Bashkuara do të përkrahin përmbushjen e Marrëveshjes së Prespës. Gjatë vizitës, Palmer nuk ka zhvilluar takime me presidentin Ivanov dhe liderin e opozitës, Mickoski.

Administrata amerikane sot në Shkup nga afër ka transmetuar kënaqësinë e votimit të së premtes me të cilën u mundësua fillimi i ndryshimeve kushtetuese. Zv/ndihmësi sekretari shtetëror Matthew Palmer përshëndeti këtë hap dhe siguroi se Uashingtoni do të përkrah rrumbullaksimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës.

Matthew Palmer: “Maqedonia mund të mbështetet në përkrahjen dhe miqësinë me SHBA-të gjatë rrugës për në BE dhe NATO. Ngushtë do të bashkëpunojmë me qeverinë dhe me të gjithë deputetët që votuan për Marrëveshjen me qëllim që plotësisht të zbatohet, më pas Greqia t’i përmbushë obligimet për ratifikim të marrëveshjes, që të mund të bëni përparime drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka theksuar se me diplomatin amerikan Palmer janë pajtuar se vendimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese ka një rëndësi historike dhe paraqet nxitje për pajtim dhe unitet politik.

Zoran Zaev: “Vota e deputetëve ishte votë kundër krizave të reja politike. Bota e njohu këtë. Të gjithë aleatët tanë përshëndetën përgjegjësinë e treguar shtetërore të deputetëve, duke llogaritur këtu edhe aleatët tanë nga SHBA. Vendimi i deputetëve është edhe një nxitje që të hapim faqen tjetër të historisë së vendit tonë. Të fillojmë t’i shkruajmë ngjarjet e ardhshme me falje, pajtim dhe bashkim politik”.

Diplomati amerikan Matthew Palmer nuk është takuar me Presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe me liderin e opozitës Mickoski, por ka takuar deputetët e opozitës të cilët kanë përkrahur fillimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese. Palmer gjithashtu ka takuar ministrin e Jashtëm Dimitrov dhe liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!