Prokuroria e re e BE-së vë në shënjestër krimin financiar

schedule23:18 - 1 Qershor, 2021

schedule 23:18 - 1 Qershor, 2021

Zyra e re e Prokurorit të Bashkimit Evropian hapi dyert në Luksemburg të martën, e ngarkuar me goditjen e mashtrimit financiar – pak para se 27 vendet anëtare të marrin 920 milionë dollarë fonde për rimëkëmbjen post-koronavirus.

Por jo të gjithë e kanë mbështetur këtë nismë – dhe një prej vendeve, Sllovenia, mund të vërë pengesa.

Përpjekjet për të ngritur Prokurorinë Publike Evropiane ose EPPO filluan rreth dy dekada më parë dhe ajo tani është bërë një realitet – një organ që synon të trajtojë krimin ekonomik dhe financiar lidhur me fondet e BE-së.

Ajo drejtohet nga prokurorja rumune e krimeve financiare Laura Kovesi, e cila foli në hapjen e saj.

“Pa diskutim, ky është kërcënimi më i pranishëm në çdo shoqëri demokratike. Flitet shumë pak për të, nënvlerësohet, shpesh edhe tolerohet në favor të organizatave të krimit të organizuar synimi i të cilit është që të përmbysë dhe zëvendësojë autoritetet legjitime,” tha prokurorja Kovesi.

Deri tani, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së marrin pjesë në këtë organ. Secili do të ketë një prokuror që punon në zyrën qendrore në Luksemburg, dhe të paktën dy të tjerë në vetë vendet.

Njësia e re pritet të trajtojë rreth 3,000 raste në vit. Komisioneri i Drejtësisë, Didier Reynders tha se mashtrimet me buxhetin e BE-së njoftohet të kapin shifrën prej 600 milion; dollarësh vetëm në vitin2019.

Edhe qytetarët e zakonshëm të BE-së mund të raportojnë krime të mundshme financiare. Por zoti Reynders tha se përpjekjet për të zbuluar krimet financiare duhet të shtrihen përtej kufijve të BE-së.

“Mbrojtja e interesave financiare të BE-së nuk ndalet dhe nuk duhet të ndalet në kufijtë e BE-së Gjurmët e mashtrimit dhe pastrimit të parave shpesh na çojnë në juridiksione në vendet pranë nesh dhe më gjerë. Kjo është arsyeja pse EPPO duhet të krijojë dhe të mbajë lidhje të ngushta me autoritetet kompetente të vendeve anëtare pjesëmarrëse, si dhe shtetet anëtare jo-pjesëmarrëse dhe vendet e treta “, tha zoti Reynders.

Disa shtete anëtare të BE-së, përfshirë Hungarinë dhe Poloninë, nuk po marrin pjesë në zyrën e prokurorit. Sipas njoftimeve, Suedia do të hyjë vitin e ardhshëm.

Ndërkohë dy vende anëtare, Sllovenia dhe Finlanda, nuk kanë plotësuar postet e prokurorëve brenda vendit. Zyrtarët evropianë thonë se ata presin që Finlanda ta bëjë këtë së shpejti. Por nuk është domosdoshmërisht kështu për Slloveninë, e cila merr presidencën e rradhës së BE-së në korrik.

Prokurorja Kovesi tha që kjo nuk do ta ndalojë zyrën të funksionojë – por mund të krijojë probleme.

“Sipas mendimit tim, është një mungesë e bashkëpunimit të sinqertë dhe kjo çështje minon besimin dhe funksionimin efektiv të sistemit të menaxhimit dhe kontrollit për [BE] në Slloveni,” tha zonja Kovesi.

Zoti Reynders tha se nëse Sllovenia nuk bashkëpunon së shpejti, Brukseli do të shqyrtojë mënyra për ta detyruar atë të përmbushë detyrimet e saj. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!