“Pallati i madh i Kulturës”, mban titullin dosja e Sigurimit të shtetit për artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit. Dosja mban numrin 126 dhe aty renditen informacione për bashkëpuntorët brenda këtij pallati. Si e survejuan ata Vaçe Zelën, Çesk Zadenë, Krajkën e Gurakuqin. Si u hap Dosja 2b për “babain” e muzikës shqiptare dhe ku fshihej zyra prej nga survejohej e dëmtohej Krajka. Përballja e çiftit Krajka në Presidencë me Fadil Paçramin, çfarë do t’u thoshte ai artistëve. “Vetting” zbulon përplasjet e Vaçe Zelës me operativët e Sigurimit në udhëtimet e Ansamblit Kombëtar jashtë Shqipërisë si dhe presioni që u bëhej nga agjentët e Sigurimit të Shtetit artistëve të mëdhenj.
————————–
Ekzistenca e mbulimit agjenturial në Pallatin e Kulturës, ishte një fakt, për të cilin thuajse të gjithë artistët ishin të vetëdijshëm. Veçanërisht ata që ishin ndeshur me tentativat e izolimit diktatorial të krijimtarisë, si çifti Krajka, të dy, punonjës në objektin e survejuar të Teatrit të Operas dhe Baletit. Për më tepër, biografia e firzamoniçistit e kompozitorit, ish-nxënës të Çesk Zadesë është një nga të klasifikuarat në dosje dhe Krajka ishte nën vëzhgimin e operativëve të sigurimit, si dhe shpesh objekt i kritikash absurde, si shumë artistë të tjerë.
Nuk ishte e lehtë në atë kohë të flisje me siguri për emra bashkëpunëtorësh, ndaj artistëve nuk u ngelej veçse të ndrydhnin veten në komunikim, të mos shprehnin atë që mendonin. Me pak fjalë t’i mos besonin plotësisht askujt e për më tepër të vetëçensuroheshin në krijimtarinë e tyre, për të mos dalë nga “vatha” e realizmit socialist.
Një nga pikat më delikate të survejimit, që përbën edhe një nga objektet kryesore të Dosjes së Pallatit të Math të Kuluturës kanë qenë turnetë e artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në Kosovë, Greqi, Turqi, Austri dhe Gjermani.
I pari udhëtim që përshkruhet në dosjen nr.126 shënjohet pikërisht në Kosovë e Maqedoni nga data 3 korrik deri më 23 korrik të vitit 1971. Pianistja Semiramis Krajka kujton se sa ishin fejuar me kompozitorin, kur, ndonëse nuk do të ishte pjesë e turneut, emocionet do t’i merrte “të gjalla” nga rrëfimet e kompozitorit.
Një pritje madhështore në Dosje tregojnë madje edhe vetë operatorët e sigurimit, ndërsa raportojnë se sallat dhe stadiumet ishin plot.
Lexo edhe: Si e spiunonte “pianistja” Çesk Zadenë, akademiku: Dosja 2b e Sigurimit për “babain” e muzikës
Por, mikpritja e shqiptarëve të Kosovës është ana e bukur e medaljes, që artistët tanë nuk arrinin ta shijonin plotësisht për shkak të presionit të operativëve. Çdo person që u afrohej shikohej nga ata si një bashkëpunëtor i mundshëm i agjencisë së spiunazhit, UDB, ndaj, pjesëtarët e ansamblit pengoheshin për të takuar popullin shqiptar të Kosovës e Maqedonisë. Gjatë shfaqjeve në Kosovë, pengesat madje krijoheshin edhe në takimet me vetë artistët. Rasti që përmendet në dosje, i takimit të kompozitorit Avni Mula me artisten Nexhmije Pagarusha, përsëritet edhe me artistë të tjerë si Agim Krajka, që siç tregon bashkëshortja gjatë turneut u la shumë pak të përshëndetej me të. Keqardhja ishte e madhe nga të dy artistët që kishin mundur të miqësoheshin gjatë vizitës së Pagarushës në Shqipëri në vitin 1970, ku do ta shoqëronte bashkë me Amin.
Kufizimet do të ishin madje edhe në takimet që artistë si Avni Mula, Agim Krajka do të kishin me njerëzit e tyre të afërt përkatësisht në Kosovë e Dibër të Madhe. Çdo tentativë që ata të pranonin ndonjë dhuratë nga të afërmit e tyre, shoqërohej me notë kritike për ta.
Njësoj ndodhte edhe me të tjerët, që nuk mund të pranonin asnjë këmishë, ora a magnetofon si dhuratë, edhe kur këto bëheshin nga institucionet në kolektiv. Kjo, pasi mbi të gjitha, nuk mund të evidentohej varfëria e artistëve shqiptarë, mjerimi e as kënaqësia për një send të bukur, që konsiderohej si sjellje e papërshtatshme. Pikërisht befasia e artistëve nga niveli më i mirë i jetesës në Kosovë dhe fryma e lirisë, do të trembte Sigurimin. Njëherazi, kureshtja për atë çka kishte ndodhur gjatë turneut, do të brente zyrtarë e operativë që nuk kishin marrë pjesë. Krajka një pjesë të atyre emocioneve kish mundur ta inçizojë përgjatë shfaqjeve dhe agjentëve ky fakt nuk u kishte shpëtuar. /abcnews.al