INSKENIMI/ Si u gris fotografia me Hoxhën, zbardhet dosja me pseudonimet e sigurimsave në “Opera”

schedule20:13 - 1 Qershor, 2021

schedule 20:13 - 1 Qershor, 2021

Emisioni VETTING

“Pallati i madh i Kulturës”, mban titullin dosja e Sigurimit të shtetit për artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit. Dosja mban numrin 126 dhe aty renditen informacione për bashkëpunëtorët brenda këtij pallati. Si e survejuan ata Vaçe Zelën, Çesk Zadenë, Krajkën e Gurakuqin. Si u hap Dosja 2b për  “babain” e muzikës shqiptare dhe ku fshihej zyra prej nga survejohej e dëmtohej Krajka. Përballja e çiftit Krajka në Presidencë me Fadil Paçramin, çfarë do t’u thoshte ai artistëve.  “Vetting” zbulon përplasjet e Vaçe Zelës me operativët e Sigurimit në udhëtimet e Ansamblit Kombëtar jashtë Shqipërisë si dhe presioni që u bëhej nga agjentët e Sigurimit të Shtetit artistëve të mëdhenj.

………………………………………

Është dita e parë e korrikut të vitit 1974.  Në orët e vona, operativi i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Piro Katro, njoftohet për një ngjarje delikate që ka ndodhur në sallën e Baletit të Ansamblit, e që kërkonte praninë e menjëhershme të tij.

Një fotografi e udhëheqësit Enver Hoxha me disa artistë ështe grisur , pikërisht në anën e djathtë, ku diktatori i buzëqeshur shkëmben përshëndetje të ngrohta me artistët. Fotografia që “shqepte” pjesërisht imazhin e udhëheqësit dashamirës të artit, i ishte dhënë një grupi artistësh të cilët po përgatiteshin për të dhënë shfaqje për në Ohër.

Ngjarja, konsiderohej e rëndësisë së veçantë.  Njësoj si dosja nr. 126, që ishte çelur në 25 maj të po atij viti,  për të zhbiriluar ndodhi të tilla, me sugjerimin e po të njëjtit operativ. Agjentura që do të duhej të ndihmonte në zbulimin e çështjes, tashmë “ishte miqësuar” me spiunazhin. Një prej informatorëve qe caktuar në orkestrën e operas, një në mirëmbajtjen e institucionit e 4 të tjerë pikërisht në Ansamblin e Këngëve e valleve popullore e orkestrën e këtij ansambli.

“Labëria”, “Lea”, “Pojani”, “Romeo”, “Firzamonika”, “Korabi”, “Beram”, “Kërcimtari” e “Flutura” ishin pseudonimet e bashkëpunëtorëve të dosjes me 2 fashikuj e 161 faqe “Pallati i Madh i Kulturës”, që u  deklasifikua në 2 prill nga Autoriteti i Dosjeve.

Së bashku me 6 operativët e caktuar të sigurimit, ata do të duhej të hetonin çështjen e grisjes së fotos e të gjenin shkaktarin. Ngjarja, do të pasonte me një mbledhje të posaçme të organizatës. Konkluzionin e atij diskutimi, do ta dëshmonte vetë operativi Piro Katro 23 ditë pas ndodhisë, në letrën që i shkruante  i shqetësuar Drejtorisë së Punëve të Brendshme.

Ndalimi i elementëve të mundshëm armiqësor të jashtëm e të brendshëm, kundër udhëheqjes e vijës politike ishte dhe shkaku i ekzistencës së dosjes nr.126. Agjentët ishin të shpërndarë në tre institucionet e të njëjtit objekt;  Në Teatrin e Operas dhe Baletit 53 punonjës ishin të survejuar  e konsideroheshin me “qëndrim të keq politik”, ndërsa 4 të tjerë ishin bashkëpunëtorë.

Në Bibliotekën Kombëtare përgjoheshin 6 punonjës, ndërsa në Pallatin e Kulturës 2 të tjerë. Operativi, nevojën e krijimit të një rrjeti të tillë spiunazhi  në këto institucione, e shpjegon më tej edhe me rëndësinë që ato kishin në propagandimin e vijës politike e për faktin se frekuentoheshin nga vetë udhëheqja./ Abcnews.al