Volejbolli i femrave ka një kampione të re të botës. Kjo është Serbia që mund Italinë në finalen e zhvilluar në Japoni. Skuadra ballkanase e pati shumë të vështirë dhe triumfoi vetëm pas 5 seteve.
Nuk është e lehtë të konkurrosh në nivele të larta kur ke vetëm 7 milionë banorë. Aq më pak të pretendosh për tituj të mëdhenj. Gjithsesi, Serbia sfidoi çdo vështirësi duke u shpallur kampione e botës në volejboll për femra, në Arenën supermoderne të Jokohamës në Japoni.
Ballkanaset triumfuan në një finale të vështirë ndaj Italisë, me rezultatin 3-2, veçse ishin skuadra që e meritonte më shumë. Të udhëhequra nga Tijana Boshkoviç, vajzat serbe ia dolën me setet 21-25, 25-14, 23-25, 25-19 e 15-12, pas më shumë se dy orësh lojë.
Publiku prej rreth 12.000 spektatorësh ndoqi një sfidë të shkëlqyer tërësisht europiane. Ky ishte titulli i parë botëror për Serbinë e trajnerit Zoran Terziç, e cila është edhe dy herë kampione e Europës, madje aktualisht është titullmbajtëse.
Tijana Boshkoviç u shpall lojtarja më e mirë e kampionatit, duke dhënë një kontribut të madh. Jo vetëm ajo, por thuajse të gjitha volejbollistet serbe janë me shumë përvojë, si Mihajloviç, Ognjenoviç apo Veljkoviç pasi luajnë në ligat kryesore botërore, në Poloni, Turqi, Japoni, Itali apo Rusi./abcnews.al