Përplasje Perëndim-Lindje në BE

schedule22:33 - 19 Tetor, 2018

schedule 22:33 - 19 Tetor, 2018

Vendet perëndimore të Bashkimit Europian po hyjnë në një epokë të re përplasjeje me vendet anëtare të lindjes. Shkak janë bërë ndërhyrjet që qeveritë e Rumanisë, Polonisë dhe Hungarisë kanë bërë në sistemet gjyqësore përkatëse, që zhbëjnë reformat e investuara nga Brukseli para anëtarësimit.

Përplasja mes qeverisë dhe gjyqësorit në Rumani ka arritur në pikën kur rrezikon të vërë përballë Bashkimin Europian dhe anëtarët e tij lindorë për respektimin e standardeve demokratike. Ministri i Drejtësisë, Tudorel Toader ka deklaruar se së shpejti do të vendosë për fatin e prokurorit të përgjithshëm, një figurë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, e vlerësuar nga Brukseli për ekspozimin e rasteve të profilit të lartë, përfshirë atë të kryetarit të partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea. Augustin Lazar mbikëqyr rreth 2 mijë e 500 prokurorë, përfshirë njësinë kundër krimit të organizuar dhe atë të anti-korrupsionit. Nëse Toader vendos të nxisë shkarkimin e Lazar, atëherë për prokurorinë rumune do të jetë fundi i një epoke. Më herët gjatë vitit, shefja e njësisë anti-korrupsion u shkarkua, ndërsa shefit të anti-krimit i ka skaduar mandati. Qeveria argumenton në qëndrimin e saj se dy njësitë kanë shkatërruar jetët e personave të pafajshëm. Në muajt e fundit Dragnea, të cilit iu ndalua marrja e postit të kryeministrit për shkak të një dënimi, ka hartuar në muajt e fundit një sërë draftesh për ndryshimin e Kodit Penal. “Ekziston rreziku që gjërat të lëvizin mbrapsht, në një mënyrë që do të dëmtojë jo vetëm demokracinë rumune por edhe rolin e këtij vendi si anëtar i BE-së”, ka deklaruar zëvendës presidenti i Komisionit Europian, Frans Timermans. Por Rumania nuk është i vetmi vend me të cilin Brukseli po përballet në fushën e drejtësisë. Shtete anëtare si Polonia dhe Hungaria kanë ndërmarrë nisma të ngjashme, që synojnë dobësimin e ligjit dhe të pozitës së prokurorëve ndaj rasteve të korrupsionit në politikë. Kjo ka bërë që diplomatët europianë në këto vende të propozojnë sanksione dhe sipas mediave, reagimi i parë do të shihet me rastin rumun. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!