Emisioni VETTING
Plagën e hapur të vuajtjeve të naftëtarëve, e ka ngacmuar pa mëshirë gjatë dekadës së fundit edhe premtimi për një status ligjor, që do t’u jepte mbrojtje e siguri, përkundrejt rrezikut që përballen çdo ditë në vendin e punës. Faktin që ata besuan në fjalën e Rilindjes, e dëshmojnë aplikimet masive të naftëtarëve, për të qenë një prej 5 mijë përfituesve të proklamuar. Por, “spërdredhjet” verbale që funksionarët e lartë socialistë, i bënë ligjit nr.8/ 2017, duke tjerrur e mbajtur peng dispozitat favorizuese i dëshmon edhe përgjigja që Instituti i Sigurimeve Shoqërore i jep emisionit “VETTING” për kërkesat që u bënë, dhe ato që u miratuan.
“Në strukturat e sigurimeve shoqërore janë depozituar rreth 9,628 kërkesa për përfitim sipas ligjit nr.8/2017. Por, me ligjin 8/2017 nuk u caktua asnjë përfitim, për arsye se nuk u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, në të cilën do të përcaktohen procedurat e caktimit të pensionit dhe shtesës mbi pension, efektet financiare dhe burimet e financimit të tyre në shtesë të buxhetit të ISSH-së”.
Premtimet e përsëritura të qeverisë se pensionet e tyre do të rriteshin me një shtesë financiare prej 40 përqind të pagës minimale, u desh që naftëtarët t’ua rikujtonin në ditën simbolike të 1 majit të 2019-ës. 22 ditë më vonë, në Parlament, në vend të statusit do të diskutohej projektligji “Për trajtimin shtesë për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët”. Mes debatesh ku theksi vihej tek përfitimi i 7600 naftëtarëve, hidhej poshtë, po nga e njëjta maxhorancë , statusi i naftëtarëve që u ishte trumbetuar si sukses dy vite më parë , si dhe një sërë përfitimesh që rridhnin prej tij.
“Në ligjin nr. 8/2017, “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, pika 1, e nenit 2; nenet 9, 10, 11 e 12; pika 1, e nenit 13, dhe nenet 14 e 15 shfuqizohen”.
Shtesa mbi pension për naftëtarët me ligjin e ri, u ul nga 1 përqindshi i premtuar në Ligjin 8/2017, në 0.6, në bazë të viteve të punës për naftëtarët. Kjo, duke filluar nga punonjësit që kanë bërë 6 vjet punë në këtë sektor.
Po i njëjti kofiçient është si për naftëtarët dhe për metalurgët, ndërsa për minatorët që janë edhe kategoria më e rrezikuar u vendos 1 përqindshi. Pra në vend të statuseve të mirëpërcaktuara për tre kategoritë e punës me risk më të lartë, kemi një skemë trajtimi financiare të përbashkët që përqendrohet tek shtesa e pensionit për një periudhë 10-vjeçare.
Ministrja Denaj e konsideroi shtesën mbi pension për pensionistët dhe ata që dilnin në periudhë afatshkurtër si një privilegj të pastër që ju bëhet këtyre kategorive, për shkak të financimit nga buxheti i shtetit.
Nga 32 mijë e 800 persona që kanë aplikuar për “trajtimin suplementar shtesë”, siç bën me dije Instituti i Sigurimeve kanë përfituar 23,411 persona. Prej tyre punonjës të industrisë së naftës dhe gazit janë 8.270 përfitues. Mirëpo, pavarësisht zgjerimit të skemës së përfituesve, përveçëse mbeten jashtë 9389 punonjës që kanë bërë kërkesë, kemi limitim të efekteve ligjore dhe përfitimeve.
Kjo edhe për faktin, se ky trajtim nuk mbush vakumin e statusit të munguar, për minatorët, metalurgët, e as për statusin e copëzuar të naftëtarëve. Shembulli konkret janë 870 naftëtarët e Ballshit të lënë të papunë prej dy vitesh. Në përfundim të asistencës 1-vjeçare prej 40 mijë lekësh të vjetra, kush nuk ka mbushur moshën e pensionit mbetet pa asnjë ndihmë.
Pavarësisht se ligjet kalohen në Parlament me shumicën e votave të maxhorancës, qeveria distancohet nga moszbatimi i tyre, kur flitet për uzinën e Ballshit. Kështu, nga fillim gushti i vitit 2015 e deri në një shtator të vitit 2016, naftëtarëve jo vetëm që u është mohuar paga, por për 15 muaj me radhë nuk u janë paguar as sigurimet shoqërore e shëndetësore.
………….
Shënim. Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Netëork Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.
/ Abcnews.al

