Vendet perëndimore kanë dënuar veprimin e udhëheqësit të Bjellorusisë, në të cilin një avion i Ryanair bëri ulje të detyruar pas udhrit të Lukashenko-s. Avioni nga Athina në Vilnius, Lituani, u detyrua të ulej në Minsk dhe besohet se Presidenti i Bjellorusisë Aleksandr Lukashenko urdhëroi personalisht një avion luftarak që të detyronte avionin që mbante rreth 170 pasagjerë të ulej.
Sot, në ditën e parë të samitit në Bruksel, 27 udhëheqësit do të diskutojnë mbi vendosjen e sanksioneve të mundshme ndaj Bjellorusisë. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha në një deklaratë se incidenti nuk do kalonte pa u ndëshkuar.
Në të njëjtën kohë, BE po bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit Roman Protasevic. Sipas burimeve diplomatike, propozimet specifike për sanksione kundër Bjellorusisë janë diskutuar tashmë, por cilat janë sanksionet e mundshme të BE-së?
Së pari, hetimi i ICAO(Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) për çdo shkelje të rregullave ndërkombëtare të aviacionit
Së dyti, po diskutohet bllokimi i hapësirës ajrore bjelloruse nga linjat ajrore europiane
Së treti, ndalimi i uljes së linjës ajrore bjelloruse, Belavia, në territorin e BE-së
Së katërti, ndalimi në pikat e kalimit kufitar, nga Bjellorusia në BE.
Ekziston gjithashtu mundësia që të merret në konsideratë forcimi i sanksioneve ekzistuese kundër Bjellorusisë. Rikujtojmë se vendosja e sanksioneve të reja kundër Bjellorusisë, kërkon unanimitet nga shtetet anëtare të BE-së./abcnews.al