Reperi i njohur shqiptar, Stresi, është arrestuar nga Policia e Tiranës mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Në një njoftim për mediat, policia ka deklaruar se Arkimed Lushaj ishte anëtar i një grupi kriminal që operonte në Tiranë në trafikun e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Arrestimi i 31-vjeçarit vjen pas hetimeve disa mujore pikërisht ndaj këtij grupi.
Lushaj u kap në një hotel në Linzë dhe iu sekuestruan një sasi e vogël kokaine, një pistoletë dhe 12 fishekë 7.65 mm.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari futet në telashe me uniformat blu. Më 13 Prill të këtij viti, ai u arrestua në një lokal në Tiranë pasi sëbashku me disa persona të tjerë u kap duke konsumuar lëndë narkotike.
Ndërkohë në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.
Gjithashtu në Janar të 2015-s, Stresi u arratis nga komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë. Për këtë ngjarje u hetuan disa policë për mosveprime, ndërsa vetë këngëtari u shpalls në kërkim. Atëherë ai ishte ndaluar pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke i dhënë makinës në gjendje të dehur. /abcnews.al