Ish-kandidati për deputet në Tiranë, ekonomisti Pano Soko u shpreh sonte në “Refleksione” se Shqipëria ka pasur liderë të fortë, që ju kemi thurur lavde dhe këngë por nuk kemi pasur ndonjëherë institucione.
“Kur dështon shteti, kur sabotohet shteti, kulti individit ndërtohet aty ku nuk ka institucione dhe është formati I tillë pushtet ose shtet. Kur kemi shtet të dobët kemi pushtet të fortë, kemi individë të fortë. Në diktaturë, gjatë kohës së Enver Hoxhës nuk kishim shtet, kishim pushtet. E quanin pushtet popullor, sepse nuk kishim institucione por individë. Vullneti i individit!
Kulti I individit, autoriteti I njëshit ndërtohet gjithmonë aty ku mungojnë institucionet e forta. Një shoqëri që i braktis rregullat e veta, që nuk i ka problem t’i shkelë ato, që dobëson rregullat e veta, aty është premisa për të ndërtuar autokracitë. Njëshi, I forti, prijësi, pikërisht aty. Kjo është ajo që po ndodh sot. Nëse e shohim sot nuk kemi shtet, nuk kemi institucione por kemi vetëm pushtet, kemi vetëm një individ sot. Vetëm një individ është, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai është i vetmi individ!
Ti ke problem me ujësjellësin, merr kryeministrin.
Ti ke problem me kadastrën, merr kryeministrin.
Ti ke problem me pyjet, merr kryeministrin.
Ti ke problem me plazhet , merr kryeministrin.
Ti ke problem me ujin në shtëpi, merr kryeministrin.
Sot kemi një individ me një platformë online, ky është shteti që kemi sot sepse ne nuk kemi institucione.
Nëse duam që të rrëzojmë një herë në Shqipëri kultin e individit duhet të ndërtojmë institucione të forta, rregulla të forta, letra, godina, ato janë të rëndësishme, jo kush ulet brenda tyre, jo kush shkon brenda tyre godinave, jo kush ulet në karrige por është rregulli që e mban në këmbë atë godinë.
Ne si shoqëri, do të shkëputemi nga ky fenomen që na ka shoqëruar gjithë kohën vetëm kur të ndërtojmë institucione të forta.
Demokracia është zgjidhja për çdo gjë!
Autoriteti I njëshit do të vazhdojë të kultivohet në këtë shoqëri për sa kohë ne nuk do të kemi rregulla të forta dhe në të gjitha shoqëritë që janë të ngjashme me ne. Rregullat e forta janë antiteza kryesore ndaj autoritetit të njëshit.
Nëse e lemë, pa problem fare kthehemi edhe në diktaturë. Askujt nuk i vjen turp! E kemi provuar më parë që në momentin që bien rregullat, ky autokrat që e ka parë veten si një lider gjysëm demokratik nuk e ka problem ta heqë edhe fare atë gjysmën. Shoqëria është ajo që duhet të jetë e vëmendshme, duhet të shohë e të lexojë shenja, duhet të kuptojë që historia përsëritet.
Unë them që është shumë e rëndësishme që të shkëputemi nga individët. Në vendin tonë kemi patur lidera të fortë, ju thurim lavde, këngë duke filluar që nga Skënderbeu, Ismail Qemali, pra në traditën tonë kemi përmendur vetëm lidera por nuk kemi patur ndonjëherë institucione. Nuk kemi patur modele suksesi të institucioneve dhe me patjeter duhet ta krijojme sepse për ndryshe do të jemi hambari I liderave të forte dhe autoritetit të njëshit” tha ai./ Abcnews.al